Çështja “Partizani”, GJKKO lë në “arrest shtëpie” Berishën dhe Malltezin. SPAK: Ish kryeministri ka pasur kontakte me jashtë
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit ka rrëzuar kërkesën e Sali Berishës dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, për revokimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie”.
Në argumentet e GJKKO thuhet se Berisha ka shkelur masën “Arrest shtëpie” duke kontaktuar me njerëz të jashtëm. Gjatë seancës së sotme prokurorët e SPAK kanë paraqitur prova se Sali Berisha ka futur në banesën e tij persona të jashtëm, si dhe ka kontaktuar me ish-eurodeputetin gjerman Elmar Brok dhe gazetaret italian te RAI.
Avokati Genc Gjokutaj foli edhe për refuzimin e kërkesës për përjashtimin nga çështja të gjyqtares Irena Gjoka.
“Sipas ligjit, gjyqtarja Irena Gjoka i ka bërë një relacion gjyqtares që shqyrtonte shkarkimin e saj, ku nuk kundërshton faktin e dënimit për shkelje të zonës Shengen, por thotë se kjo nuk ndikon në objektin për shkarkimin e saj. Kërkesën për shkarkim ia kemi qepur në pallto, do t’i qepim edhe në kostumin veror. Çështja e Gjokës ka shkuar në SPAK. Kemi bërë kërkime për aktet dhe nuk kemi një përgjigje”, tha Gjokutaj.
Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi ndodhen në “në arrest shtëpie” për aferën e privatizimit të Klubit “Partizani”.