Çështja “Partizani”, GJKKO rrëzon avokatët e Berishës për përjashtimin e trupit gjykues
Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar kërkesën e avokatëve të ish-kryeministrit Sali Berisha, të cilët kishin apeluar që gjyqtarja Irena Gjoka të mos ishte pjesë e procesit ndaj tij si i pandehur për korrupsion për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Berisha është në pritje të nisjes së seancës për njohjen e masës së re të sigurisë. Prokurorët e posaçëm kanë kërkuar ta rëndojnë atë në arrest shtëpie me mbikëqyrje.
Personi nën hetim Sali Berisha nëpërmjet mbrojtësve të tij kishte paraqitur kërkesën për përjashtimin e trupit gjykues që shqyrton kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me objekt “zëvendësimin e masës së sigurimit”.
Kjo kërkesë iu kalua për shqyrtim gjyqtarit të gatshëm, i cili në përfundim të gjykimit vendosi rrëzimin e kërkesës.