Çfarë dinte inteligjenca izraelite për sulmin e Hamasit më 7 tetor dhe pse nuk veproi?
Sulmi i befasishëm i Hamasit më 7 tetor e la Izraelin të tronditur duke shkaktuar një reagim të ashpër që ende po vërshon ndaj palestinezëve.
Të paktën 1,500 luftëtarë të Hamasit kaluan kufirin e Izraelit në një sulm që vrau 1,200 izraelitë, ndërsa të tjerët mbahen ende peng nga grupi militant.
Por një raport i New York Times pretendon se Izraeli kishte dijeni për planin e Hamasit më shumë se një vit më parë.
Raporti thotë se zyrtarët izraelitë e hodhën poshtë planin dhe e konsideruan atë shumë kompleks që Hamasi ta vendoste në zbatim.
Media të tjera, duke përfshirë gazetën izraelite Haaretz, kanë raportuar gjithashtu këtë pretendim.
Çfarë dinte Izraeli për sulmin?
Zyrtarët izraelitë morën një dokument që përshkruan planin e betejës së Hamasit për sulmin e tij terrorist të 7 tetorit më shumë se një vit përpara se grupi militant të kryente sulmin, raportoi të enjten New York Times, duke cituar dokumente, email dhe intervista.
Dokumenti afërsisht 40 faqesh nuk jepte një datë për sulmin, por përshkruante “pikë pas pike” llojin e inkursionit vdekjeprurës që Hamasi kreu në territorin izraelit në tetor, referuar New York Times e cila shqyrtoi dokumentin e përkthyer.
Sipas Times, zyrtarët e ushtrisë dhe inteligjencës izraelite e hodhën poshtë planin, duke vlerësuar se do të ishte shumë e vështirë për Hamasin për ta realizuar.
Dokumenti, të cilin autoritetet izraelite e quajtën “Muri i Jerikos” detajonte sulmin që do të pushtonte fortifikimet rreth Rripit të Gazës, do të pushtonte qytetet izraelite dhe do të synonte bazat kryesore ushtarake. Plani u ndoq me saktësi nga Hamasi më 7 tetor, transmeton CNN.
Atë ditë, militantët e Hamasit goditën përtej kufirit nga Gaza në një sulm të koordinuar në atë që është cilësuar si sulmi më vdekjeprurës njëditor ndaj Izraelit që nga themelimi i vendit në 1948.