Champions: 16 klube vazhdojnë rrugën drejt trofeut, shorti i së hënës premton spektakël
Kanë përfunduar ndeshjet e fazës së grupeve në Champions League dhe janë përcaktuar tashmë 16 skuadrat që do të vazhdojnë më tej rrugëtimin e tyre në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube. Shumë emra të mëdhenj të kontinentit arritën të kualifikohen në fazën e 1/8-ve të finales dhe të hënën e 18 dhjetorit në mesditë do të hidhet shorti i fazës me eliminim direkt, short të cilin mund ta ndiqni live në Radio Televizionin Shqiptar.
Nuk kanë zhgënjyer kampionët në fuqi të Manchester City që mbyllën grupin me pikë të plota, ashtu si rekordmenët e Realit të Madridit. Bayerni, Dortmundi dhe Barcelona bëjnë detyrën, ndërsa Arsenali pas rikthimit në turne kualifikohet si e parë grupi. Surpriza mban emrin FC Copenhagen, që arrin të kualifikohet në grupin A duke lënë pas në renditje Manchester United dhe Galatasaray.
Tetë skuadrat që zunë vendin e parë në grup bëjnë pjesë në vazon e parë, ndërsa 8 skuadrat që zunë vendin e dytë do të qëndrojnë në vazon e dytë.
Bayerni i Mynihut (6 trofe), Arsenal, Real Madrid (14 trofe), Real Sociedad, Atletico Madrid, Borussia Dortmund (1 trofe), Manchester City (1 trofe) dhe Barcelona (5 trofe) janë tetë skuadrat e vazos së parë. FC Copenhagen, PSV (1 trofe), Napoli, Inter (3 trofe), Lazio, PSG, Leipzig, Porto (2 trofe) janë tetë skuadrat e vazos së dytë. Tashmë fillon Champions-i i vërtetë dhe shorti i së hënës premton spektakël, pasi janë të paevitueshme përballjet mes gjigantëve të kontinentit.
Sipas rregullores së turneut skuadrat e vazos së parë do të përballen me skuadrat që gjenden në vazon e dytë, por klubet nga i njëjti shtet nuk mund të ndeshen me njëra-tjetrën. Gjithashu skuadrat që gjendeshin në të njëjtin grup nuk mund të përballen me njëra-tjetrën në këtë fazë të turneut.
Ndeshjet e vajtjes (të parat) e fazës së 1/8-ve të finales do të luhen në 13, 14, 20 dhe 21 shkurt të vitit 2024, ndërsa ndeshjet e kthimit në 5, 6, 12 dhe 13 mars. Takimet më të rëndësishme të kësaj faze mund ti ndiqni live në RTSH.