“Çmenduri” për ndeshjen Gjermani-Spanjë, tifozët paguajnë deri në 6000 euro për të parë ndeshjen
Ndeshja çerekfinale mes Spanjës dhe Gjermanisë të premten e ardhshme në Euro 2024 është kthyer në një lloj ‘ndeshje të shekullit’ për të gjithë tifozët gjermanë. Ka një dëshirë të madhe për të mposhtur të kuqtë, pas eliminimeve radhazi nga Euro 2008 dhe Botërori 2010, e për më tepër që në të dyja rastet skuadra spanjolle ka fituar titullin. Gjermanët nuk kanë arritur një fitore ndaj spanjollëve, në një ndeshje zyrtare prej 36 vitesh. E fundit daton në vitin 1988, pikërisht në një tjetër Evropin, të zhvilluar në vendin e tyre. 2-0 në fazën e grupeve, ndërkohë që Muri i Berlinit ende nuk kishte rënë. Pritshmëritë tani në euro 2024 janë të tilla që, sipas Bild, çmimet e rishitjes së biletave për këtë superndeshje janë shumëfishuar në mënyrë të frikshme. Madje në disa raste arrijnë deri në 6000 euro për biletë. “Një shitës kërkon 6000 euro për çdo biletë që i takon rreshtit të tretë, në qendër të tribunës. Me sa duket ai ka tre bileta në ofertë”, shkruhet në radhët e gazetës Bild. “Dhe ky nuk është një rast i izoluar. Një tjetër shitës kërkon 11,800 euro të pabesueshme për dy bileta tre rreshta më lart. Dhe një tjetër paguan 3867 euro për një biletë VIP. Çmenduri”, nënvizon më tej e përditshmja gjermane. Të 51,000 ulëset në stadiumin e Shtutgartit do të jenë shumë të zëna. Spanja po përpiqet të marrë 20 mijë vende për tifozët e saj pasi ethet për të udhëtuar drejt Gjermanisë janë përhapur edhe në gadishull këto ditë.