Çmimi Alternativ Nobel 2024 – Iu nda palestinezit Issa Amro dhe tre aktivistëve të tjerë
Issa Amro, një aktivist palestinez në Bregun Perëndimor të pushtuar , mori këtë të enjte Çmimin Alternativ Nobel, për punën e organizatës së tij. Grupit Rinia Kundër Vendbanimeve iu dha çmimi për “rezistencën e tij të qëndrueshme jo të dhunshme ndaj pushtimit të paligjshëm nga Izraeli, duke promovuar veprimin qytetar palestinez përmes mjeteve paqësore”.
E themeluar nga Amro, ky grup bën fushatë kundër përhapjes së vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor, të cilat komuniteti ndërkombëtar gjerësisht i konsideron të paligjshme. “Është një mrekulli që unë ende jetoj “- u shpreh aktivisti palestinez.
Amro ka lindur në Hebron, ku rreth 1000 kolonë hebrenj jetojnë nën mbrojtjen ushtarake izraelite mes 200 mijë palestinezëve. Fondacioni me bazë në Suedi tha se aktivisti 44-vjeçar u arrestua disa herë dhe u torturua nga Izraeli dhe Autoriteti Palestinez , i cili pjesërisht kontrollon Bregun Perëndimor.
Çmimi Alternativ Nobel u krijua në vitin 1980 nga suedezo-gjermani Jakob von Uexkull për të nderuar përpjekjet që ai mendonte se po injoroheshin nga çmimet Nobel. Që atëherë, ky vlerësimi, i njohuir si “Çmimi Alternativ Nobel”, u është dhënë 198 laureatëve nga 77 vende.
Përveç Amro, aktivistja indigjene Joan Carling nga Filipinet, aktivistja e mjedisit nga Mozambiku Anabela Lemos dhe agjencia kërkimore në Mbretërinë e Bashkuar Forensic Architecture u nderuan me çmimin e vitit 2024. “Fituesit e këtij viti kanë secili një ndikim të thellë në komunitetet e tyre dhe në skenën globale”- tha Fondacioni pas ndarjes së çmimeve.