Conference League/ Tirana dhe Vllaznia me faktorin fushë në RTSH Sport, Partizani kërkon “thesarin” në Maltë
Elimini i Egnatias në turin e parë të Champions League mund të shfrytëzohet prej tre ekipeve të tjera shqiptare si motivim për të tentuar gjithçka në takimet e kthimit në Kupat e Europës. Partizani (19:00), Tirana (20:00) dhe Vllaznia (20:30) do të tentojnë kualifikimin për më tej pas 90’ të para të kënaqshme.
Nënkampionët e Shqipërisë do të kërkojnë kualifikimin në transfertën malteze përballë Marsaxlok. Pas sfidës së parë të përfunduar me shifrat 1-1, Partizani ka shumë shanse që të fitojë dhe të arrijë në turin e dytë të Ligës së Konferencës. Skuadrat zbresin në fushë në orën 19:00.
Në krahun tjetër, Tirana do të përballet me Torpedo Kutaisin në “Elbasan Arena”. Edhe bardheblutë ashtu si Partizani kanë barazuar 1-1 ndeshjen e parë, teksa në Elbasan fitorja është gjithçka pasi do të thoshte kualifikim. Kjo sfidë do të startojë në orën 20:00 dhe do të transmetohet në RTSH Sport.
Tridhjetë minuta më vonë, në “Loro Boriçi”, Vllaznia do të përballet kundër islandezëve të Valur. Shkodranët barazuan 2-2 në ndeshjen e parë, ndërsa në Shkodër u mjafton fitorja për të siguruar kualifikimin.