COP28/ Rreziqet shëndetësore nga ndryshimet klimatike, mjekët dhe aktivistët bëjnë thirrje për më shumë veprime
Mjekët, aktivistët dhe përfaqësuesit e vendeve që marrin pjesë në konferencën e klimës COP28 në Dubai kanë bërë thirrje për më shumë veprime për të trajtuar rreziqet shëndetësore që lidhen me ndryshimet klimatike .
Ndikimet e lidhura me klimën “janë bërë një nga kërcënimet më të mëdha për shëndetin e njeriut në shekullin 21”, tha presidenti i COP28, Sulltan Ahmed Al-Jaber.
Të shtunën në mbrëmje në Dubai, 123 nga afro 200 vendet e mbledhura në COP28 nënshkruan një deklaratë duke pranuar përgjegjësinë e tyre për t’i mbajtur njerëzit të sigurt. Deklarata nuk përmendi karburantet fosile, burimi kryesor i ngrohjes globale.
Për shkak të ndryshimeve klimatike, rastet e kequshqyerjes, malaries, diarresë dhe stresit të nxehtësisë janë tashmë në rritje në disa zona.
Sot një grup i vogël mjekësh me bluza të bardha dhe aktivistë të klimës organizuan një demonstratë brenda ambienteve të samitit për të rritur ndërgjegjësimin për këtë çështje.
“Ne jemi në një situatë shumë të rëndë”, tha Joseph Vipont, një mjek i urgjencës nga Alberta, Kanada. Ai kujtoi rastin e një fëmije që vdiq nga një sulm astme i rënduar nga thithja e tymit nga zjarret e këtij viti në Kanadanë Perëndimore.
Ndryshimet klimatike po rrisin gjithashtu frekuencën e stuhive të rrezikshme dhe reshjeve më të parregullta.
Në shtator, stuhia Daniel vrau më shumë se 11.000 njerëz në Libi, dhe përmbytjet e vitit të kaluar në Pakistan shkaktuan një rritje prej 400 për qind të rasteve të malaries në të gjithë vendin, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Banka Botërore nisi sot një program të ri për klimën dhe shëndetin për të eksploruar ndërhyrjet dhe zgjidhjet e mundshme të shëndetit publik për vendet në zhvillim.
Dhjetë nga bankat kryesore të zhvillimit në botë, përfshirë Bankën Botërore, thanë gjithashtu se do të punojnë së bashku për të ndihmuar vendet të monitorojnë ndikimet klimatike, duke përfshirë rreziqet e shëndetit publik, dhe të identifikojnë mundësitë dhe prioritetet e investimeve./ cnn.gr