Copëza jete “Me Bardhin” – Miqtë e kujtuan regjisorin Fatbardh Smaja në 9- vjetorin e ndarjes nga jeta
Copëzat e kujtimeve rijetëzuan edhe njëherë tjetër figurën e Fatbardh Smajës, regjisorit të ndarë nga jeta 9 vite më parë në takimin “Me Bardhin”, zhvilluar në Muzeun Historik të Shkodrës.
Familjarë, miq dhe kolegë ishin të pranishëm në këtë pasdite nëntori duke bashkëndarë mes tyre momente të veçanta nga jeta me regjisorin.
Merita Smaja, bashkëshortja e tij dhe njëkohësisht aktorja e teatrit “Migjeni”, shprehet se praninë e Bardhit e ndjen kudo.
Një regjisor si Fatbardh Smaja i mungon Shkodrës edhe sot e kësaj dite.
Fatbardh Smaja ndonëse vitet më të shumta ia dedikoi aktrimit dhe regjisurës, kishte edhe një pasion të veçantë për muzikën.
Për 12 vite, ai mori mësime për instrumentin e klarinetës në shkollën artistike “Prenkë Jakova”.
Orët, minutat dhe sekondat e fundit të jetës së tij, regjisori Smaja ia fali dramës “Kandili i argjendit” të autorit shkodran Martin Camaj.