Çuçi mbledh grupin parlamentar: Zbrisni në terren, të kapim afatet. Amnistinë fiskale e votojmë javën tjetër

Bledi Çuçi ka mbledhur këtë të hënë (12 shkurt) Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste . Në fokus të kësaj mbledhje ka qenë agjenda e javës së re të Kuvendit, ku ka njoftuar se Amnistia Fiskale nuk do të jetë në Parlament në seancën e kësaj të enjteje (15 shkurt), por do të shkojë për votim në seancën e 22 shkurtit. Kjo pasi, sikurse ka sqaruar ai, Amnistia Fiskale do duhet të kalojë fillimisht gjatë kësaj jave për shqyrtim, diskutim e miratim në komisionet parlamentare.
Më tej, Çuçi rikujtoi edhe njëherë porositë e kryetarit të partisë në Asamblenë e mbajtur një ditë më parë.
“Duhet një prezencë e shtuar fizike në terren sipas zonave tuaja. Konsiderojeni këtë si një periudhë fushate duke nisur që nga dje. Është shumë e rëndësishme që procesin zgjedhor brenda partisë ta ndjekim personalisht. Ka nevojë për ritëm të shtuar për të kapur afatet”, u shpreh Çuçi.
Lidhur me seancën e ditës së enjte, Çuçi foli për projektligjet që janë në rendin e ditës për t’u votuar. Bëhet fjalë për Projektligjin “Për festat zyrtare e ditët përkujtimore” dhe Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes në lidhje me programin e shkëmbimit të studimeve universitare në Evropën Qendrore”.