Dakordësia e PS me Rithemelimin për rikthimin e normalitetit në Parlament, reagojnë Ambasada e SHBA dhe BE
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian kanë reaguar pas dakordësisë mes mazhorancës socialiste dhe Rithemelimit për rikthimin e normalitetit në Kuvend. Nëpërmjet një postimi në Facebook, ambasada amerikane shkruan se institucionet funksionale janë thelbësore për çdo demokraci të shëndetshme.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë është e inkurajuar nga njoftimi për rikthimin e rendit normal në Parlament. Institucionet funksionale janë thelbësore për çdo demokraci të shëndetshme dhe anëtarët e zgjedhur duhet të ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në mirëbesim brenda Parlamentit”, thuhet në reagim.
Po ashtu edhe BE e ka mirëpritur lajmin, duke e konsideruar një parlament funksional si thelbësor për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në bashkësinë europiane.
“Mirëpresim lajmin për rikthimin e normalitetit në Parlament. Siç kemi thënë dhe më parë, një parlament që funksionon mirë është thelbësor për të lehtësuar rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, i cili është objektivi strategjik i vendit, i mbështetur nga shumica dërrmuese e shqiptarëve”, thuhet në reagimin e Delegacionit të BE-së në Shqipëri.
Mazhoranca dhe grupi i Rithemelimit gjetën dakordësinë parimisht lidhur me kthimin në normalitet të jetës parlamentare dhe ngritjen e 2 komisioneve hetimore të kërkuara nga opozita, ajo për rrjedhjen e të dhënave dhe ndërhyrjen në sistemin TIMS si dhe komisioni hetimor për koncesionet e dhëna në Shëndetësi.
Pas diskutimit në Konferencën e Kryetarëve u arrit që Gazmend Bardhi nga opozita dhe Klodilda Bushka nga mazhoranca të punojnë së bashku për anëtarësinë e komisioneve hetimore. Të mërkurën 13 mars, do të zhvillohet sërish një seancë për të vendosur për anëtarët e Komisioneve hetimore që pritet të ngrihen.
Po ashtu është arritur dakordësia që të krijohet një nënkomison për të diskutuar ligjet e rëndësishëm që kërkojnë konsensus politik dhe shumicë të cilësuar votash në Kuvend.