Dakordësia me Rithemelimin, Rama: Pazari me ‘Non Gratën’ s’ekziston. Komisione hetimore brenda kornizës së Kushtetueses

“Pazari me ‘non grata’ nuk ekziston”, kështu i është përgjigjur kryeministri Edi Rama akuzave pas arritjes së dakordësisë mes PS-së dhe Rithemelimit për kthimin e normalitetit në Kuvend.

Në një postim në X (dikur Twitter), Rama shkruan se ata kishin refuzuar deri dje ngritjen e komisioneve hetimore, për shkak se kërkesa nuk ishte bërë sipas kornizës së përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Në kushtet kur kërkesa bëhet sipas kësaj kornize, sipas Ramës, ata nuk kanë “as të drejtë dhe as arsye të refuzojmë”

 “Të gjithë idiotët e dobishëm janë sulur socialeve e kanaleve për të thënë se paskërkemi gëlltitur ç’kemi thënë dhe po bashkëpunokemi me Non Gratën, pse jemi dakord që sipas kornizës së përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese të miratojmë komisione hetimore brenda kësaj kornize! Po ne këtë e kemi thënë e stërthënë dhjetëra herë, qyshse refuzuam të miratojmë kërkesa për të ngritur komisione hetimore jashtë asaj kornize!  Dhe nëse deputetë të Kuvendit që mbledhin firmat për të ngritur një komision hetimor e bëjnë kërkesën brenda asaj kornize, ne s’kemi as të drejtë, as arsye e as mundësi që ta refuzojmë. E kurdoherë që kjo të ndodhë vota jonë është sigurisht pro! Çfarë ka këtu për të vënë kujën përveç nevojës për të helmuar publikun me akuza dhe shpifje krejt të pabaza mbi medemek “pazarin me Non Gratën”, i cili thjesht nuk ekziston?”, shkruan Rama.

Edhe për Komisionin e Reformës Zgjedhore, Rama tha se PS mban të njëjtin qëndrim.

Edhe për Komisionin bipartizan të Reformës Zgjedhore e kemi thënë prej disa kohësh, nëse nuk pjell asgjë veç sherrit e shamatasë së tyre deri kur të mbyllet afati, do të mbyllet edhe komisioni e kjo punë do t’i mbetet Kuvendit, ku po nuk u arrit dot ndonjë mirëkuptim për ndryshime të ligjit dhe s’ka numra në sallë për të votuar ndryshime, do të shkojmë në zgjedhje me ligjin që kemi. As për këtë s’kemi ndryshuar ndonjë qëndrim a mendim. Atëherë ku është ky pazar dhe ku hyn Non Grata në këtë mes?!”, shkruan Rama.

Për rikthimin e normalitetit në Kuvend, Rama tha se është vendim i Rithemelimit “nëse ata që do të digjnin parlamentin kanë ndërruar mendje”.

Ah, nëse ata që do të digjnin parlamentin kanë ndërruar mendje dhe duan të rikthehen në punë, ne as nuk i pengojmë dot, as nuk duam t’i pengojmë të reflektojnë, përkundrazi na vjen mirë që ta bëjnë. Kjo është e gjitha dhe ne jemi ata që ishim, aty ku ishim, me po ato qëndrime që kishim, jo sepse është gabim të ndryshosh qëndrim, po sepse në këtë nuk ka asgjë për të ndryshuar në qëndrimin tonë. Çudi që s’e mësuan dot që Partia Socialiste është gjithnjë tre hapa përpara dhe në fund të gjitha xhirot bosh përfundojnë po në pikën ku nisin, tre hapa mbrapa nesh”, përfundon postimi e tij Rama.

Mazhoranca dhe grupi i Rithemelimit gjetën dakordësinë parimisht të martën (12 mars) lidhur me  ngritjen e 2 komisioneve hetimore të kërkuara nga opozita, ajo për rrjedhjen e të dhënave dhe ndërhyrjen në sistemin TIMS si dhe komisioni hetimor për koncesionet e dhëna në Shëndetësi.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.