D’Alema kujton telefonatën: Klintoni kishte frikë se Rugova do ishte kundër bombardimeve të NATO-s
Me praninë në Prishtinë të ish-kryeministrit italian, Masimo D’Alema (o. Massimo), bota shqiptare kujtoi të hënën fjalimin e tij drejtuar parlamentit më 26 mars 1999, kur tha se “ndërhyrja në Kosovë është e drejtë, legjitime dhe e duhur”.
Gjatë konferencës “Rugova dhe Perëndimi”, z. D’Alema u kthye pas te roli i ish-presidentit historik të Kosovës prej çlirimit të vendit nga Serbia.
10 Qershori 1999 shënoi fundin e konfliktit luftarak pas bombardimeve të NATO-s, që e zmbrapsi ushtrinë jugosllave.
Z. D’Alema zbuloi se në bisedat e kohës me ish-presidentin amerikan Bill Klinton, shqetësimi i këtij të fundit ishte nëse Rugova do i dilte kundër NATO-s nisur nga parimet dhe idealet e tij njerëzore.
“Shqetësimi i Klintonit ishte se pacifisti Ibrahim Rugova mund të fliste kundër bombardimeve të NATO-s. Më pas, nga një konferencë në Romë, Rugova falënderoi NATO-në që mbrojti popullin e tij. E kujtoj Klintonin që i thashë ‘Bill, duhet ta falënderosh Rugovën, sepse unë nuk bëra asgjë për ta bindur’,” u shpreh z. D’Alema.
Ish-kryeministri i Italisë foli dhe për miqësinë që kishte me presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Sëmundja e hershme, shtoi ai, e ndaloi Rugovën që ta shpallte pavarësinë më 17 shkurt 2008.
“Unë isha në qeveri, jo kryeministër, por si zëvendës dhe ministër i Punëve të Jashtme. Italia ishte zgjedhur si vend jo i përhershëm i Kombeve të Bashkuara dhe Ban Ki Mun në atë kohë e kishte caktuar datën 10 dhjetor si afat kur duhet të mbaronin negociatat. Dhe në dhjetor ishte radha e Italisë që ta udhëhiqte presidencën e Këshillit të Sigurimit. Ai donte personalisht të merrte pjesë në seancë për të bërë thirrje për pavarësi. Kjo u pamundësua nga nacionalizmi i lartë i Serbisë që nuk i pranonte faktet, por nuk mund ta shtynte pafundësisht këtë gjë,” deklaroi z. D’Alema.
Ish-kryeministri italian theksoi synimi i Rugovës për stabilitet ballkanik ende nuk është arritur.