Dalin detaje nga ekzekutimi i Entjan Nikulajt, dyshohet se autorët ishin 3 persona
Të tjera detaje kanë dalë në dritë në lidhje me ekzekutimin e Entjan Nikulaj në Lezhë, i cili mbeti i vrarë me armë zjarri mbrëmjen e së shtunës (2 dhjetor)
Ngjarja ndodhi rreth orës 21 e 30 minuta të mbrëmjes të së shtunës në aksin rrugor Milot-Lezhë në vendin e ruajtur “Ura e Trenit” në hyrje të qytetit, ndërsa Nikulaj ishte i afërm i Ardian Nikulaj, biznesmeni i vrarë me 19 prill të këtij viti në lokalin në pronësi të tij në Shëngjin.
40-vjeçari Entjan Nikulaj u qëllua me breshëri plumba teksa po lëvizte me automjetin e tij foristradë ML në drejtim të Lezhë. Nga të shtënat me armë fillimisht Nikulaj mbeti i plagosur rëndë dhe humbi jetën disa minuta më vonë në urgjencën e Spitalit Rajonal të Lezhës, pasi pavarësisht ndihmës së parë mjekësore nuk mundi t’iu mbijetojë plagëve të marra në disa pjesë të trupit.
Ndërkohë rreth 60 minuta pas ngjarjes u gjet një automjet duke u djegur në afërsi të Rinasit, brenda se cilit kishte dhe në armë zjarri automatik. Referuar dhe pamjeve të kamerave të sigurisë në vendin ku ndodhi ngjarja, rezulton se makina BMË ngjyre gri me targa të denoncuara të vjedhura në Tiranë është përdorur nga autoret në atentatin ndaj 40-vjeçarit Entjan Nikulaj.
Ata mendohet të kenë qenë dy persona, ndërsa një i trete mund t’i ketë informuar mbi lëvizjet e objektivit të tyre. Në lidhje me ngjarjen policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje disa persona, ndërsa në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar rreth 25 gëzhoja automatiku. Pista kryesore e hetimeve është ajo e gjakmarrjes mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj, ku 40-vjeçari Entjan Nikulaj është viktima e tretë në harkun kohor të pak muajve, pasi pas vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj në muajin korrik u ekzekutua me armë zjarri në Balldre Nikolin Lekstakaj.