Dalin pamjet e sulmit me tritol, autori me kapuç në kokë dhe me doreza afrohet te banesa e gjyqtarit
Ky është momenti kur një person, i veshur me të zeza, kapuç në kokë dhe doreza të bardha, afrohet dhe vendos lëndën plasëse në derën e banesës së gjyqtarit të Shkodrës, Tonin Sterkaj. Në momentin që autori bën gati lëndën plasëse për ta vendosur te dera qeni leh pa pushim.
Më pas autori e ndez dhe largohet me shpejtësi nga e njëjta rrugicë që u pa të vinte. Në orën 02:59 minuta ndodh shpërthimi.
Autori ende nuk është identifikuar, ndërkohë sipas procedurave Policia e Shkodrës ka marrë në mbrojtje gjyqtarin Sterkaj. Pista kryesore e hetimeve lidhet me detyrën e Tonin Sterkajt si gjyqtar, megjithatë po hetohen dhe pista të tjera. Vetë i shënjestruari nuk i ka mohuar për asnjë moment se kërcënimi të mos i vinte për shkak të detyrës, pasi ai në dëshminë e tij, po ashtu siç edhe gruaja e tij, i kanë qëndruar versionit se nuk kanë asnjë problem tjetër në jetën e tyre. Janë bërë shoqërimet e para për t’u pyetur për ngjarjen, ndërsa ka nisur përpilimi i një liste me persona të dyshuar apo që mund të kenë dijeni.