Danimarka mbyll hetimet për shpërthimet në tubacionin Nord Stream, e quan akt sabotazhi
Danimarka njoftoi të hënën (26 shkurt) mbylljen e hetimeve për shpërthimet në tubacionin e Nord Stream 2 në vitin 2022, duke dalë në përfundimin se ishte një akt sabotazhi.
Tubacioni përdoret për të transferuar gazin rus drejt Gjermanisë, por në shtator 2022 ndodhën një seri shpërthimesh në segmente të caktuara të projektit shumëmiliardadollarësh në Detin Baltik, duke lëshuar sasi metani në ajër në zonat ekonomike të Suedisë dhe Danimarkës.
Rusia dhe Perëndimi akuzuan njëra-tjetrën nisur nga situata me luftën në Ukrainë, por palët mohuan përgjegjësinë.
“Nuk ka arsye të mjaftueshme për të hapur një çështje penale në Danimarkë… ndaj Policia e Kopenhagës vendosi të mbyllë hetimin penal mbi shpërthimet,” njoftoi policia daneze.
Suedia këtë muaj hoqi dorë nga hetimet mbi shpërthimet, duke njoftuar se nuk kishte juridiksionin për ta çuar më tej hetimin, por dorëzoi provat te hetuesit gjermanë.
Në reagimin e vet, Kremlini tha se hetimi i shpërthimeve në Nord Stream 2 ishte “afër absurdit”. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov (o. Dmitry) deklaroi se Danimarka pranoi aktin e sabotazhit të paramenduar, por vendosi të mos e ndjekë çështjen “sepse përfshiheshin aleatët e ngushtë të Kopenhagës”. /The Guardian