“Dasma Shkodrane” hijeshon Korçën/ Eventi i veçantë krijon një atmosferë fantastike në qytetin “binjak” të Shkodrës
Për tre orë “Dasma shkodrane” ka pushtuar me muzikë dhe hare Pazarin e Vjetër të qytetit të Korçës. Eventi tradicional shkodran, nuk mund të gjente mikpritje më të ngrohtë se në Korçë, si një qytet që ka shumë të përbashkëta me Shkodrën. Mes këyte të përbashkëtave, ceremonitë e dasmave dhe krushqitë e tyre të hershme.
Në Shkodër, dasma është jo vetëm festë, gëzim i familjes por e gjithë lagjes. Pikërisht kjo traditë, vlerat e saj, synohet të përcillen për brezat e rinj përmes eventit “Dasma shkodrane”, thotë instrumentisti i mirënjohur Lorenc Radovani, drejtues artistik. “Dasma shkodrane”, ruajtja e një tradite të bukur me këngë të kënduara live nga një orkestër, ku program i dasmës punohet deri në detaje, u interpretua nga këngëtarë e instrumentistë të brezit të ri me qëllim mbajtjen gjallë të shpirtit artistik të këngëve aq të njohura shkodrane.
“Dasma Shkodrane” udhëtoi në qytetin e Korçës në kuadër të projektit “Dita Shkodrane në Korçë” mbështetur edhe nga bashkia e Korçës dhe bashkia e Shkodrës.