Categories: LajmePolitikë

David Wisner: Migrimi është një sfidë, Shqipëria duhet të mbajë të rinjtë duke punuar me të gjitha mundësitë

I Ngarkuari me Punë i Ambasadës së SHBA-së, David Wisner në një intervistë me gazetarin Engjëll Serjani për Radio Televizionin Shqiptar foli për turneun që u zhvillua në Gjirokastër dhe në rajonin jugor si dhe për problemet që kanë këto zona.

Gjithashtu Wisner foli dhe për bashkëpunimin e Policisë së shtetit me Shtetet e Bashkuara. I Ngarkuari me Punë i Ambasadës së SHBA-së, David Wisner u shpreh se Shqipëria duhet të mbajë të rinjtë e saj duke punuar me të gjitha mundësitë që janë këtu.

Intervista e plotë

Gazetari: Duke ju uruar mirëseardhjen në Gjirokastër, dua t’ju pyes se si jeni ndjerë në këtë qytet disi të veçantë.

I Ngarkuari me Punë Wisner: Faleminderit shumë për këtë mundësi për të folur me publikun tuaj. Ka qenë një kënaqësi e vërtetë të isha këtu në Gjirokastër – vetëm shiko peizazhin pas nesh. Ka qenë e vërtet e mrekullueshme. Pata mundësi të takohem me banorë të ndryshëm të qytetit, munda të shëtis pak në pjesën historike dhe në pjesën e re të qytetit. Dhe ka qenë një udhëtim i shkëlqyer! Sinqerisht, faleminderit shumë për mikpritjen e ngrohtë.

 Gazetari: Gjatë këtij turneu që zhvilluat në Gjirokastër dhe në rajonin jugor, cila ka qenë agjenda juaj? Me kë u takuat dhe çfarë biseduat?

I Ngarkuari me Pune Wisner: Kam pasur një agjendë të ngjeshur. Pata mundësi të vizitoj universitetin ku munda të takoj disa studentë të shkëlqyer të cilët kanë mësuar anglisht, kanë punuar në Shtetet e Bashkuara dhe janë kthyer sërish këtu. U takuam gjithashtu me disa nxënës të shkëlqyer, të cilët më mahnitën e aftësitë e tyre anglisht folëse. Sinqerisht, m’u dukën si nxënës të një shkolle të ngjashme në Shtetet e Bashkuara. Pastaj, pata mundësinë të bëja një tur shumë të veçantë të Qytetit të Vjetër, i cili është rimëkëmbur me ndihmën e Fondit Amerikano-Shqiptar për Zhvillim, i cili ka bërë disa punë të shkëlqyera në të gjithë Shqipërinë, por në veçanti këtu, dhe pata mundësi të shijoj kalanë gjithashtu, e cila është pas nesh. Ka qenë një udhëtim i ngjeshur. Dhe sot do të kemi një aktivitet shumë interesant me Policinë e Shtetit dhe Ministrin e Brendshëm, për të theksuar bashkëpunimin që Shtetet e Bashkuara kanë me qeverinë shqiptare në menaxhimin e kufijve dhe përpjekjet tona të përbashkëta për të luftuar çështje si kontrabanda dhe aktivitete të tjera kriminale.

Gazetari: Ju keni pak kohë në Shqipëri, por mund të keni një mendim, një ide si e vlerësoni politike bërjen dhe vendimmarrjen vendore në Shqipëri?

I Ngarkuari me Pune Wisner: Faleminderit për këtë pyetje. Siç e keni parë, ambasadorët e mëparshëm në Shqipëri kanë thënë se përparësitë tona të vërteta këtu janë të ndihmojmë demokracinë e Shqipërisë, mbrojtjen e saj dhe lidhjet e biznesit SHBA-Shqipëri. Dhe pyetja juaj prek pikën e parë. Është shumë e rëndësishme që të ketë vendimmarrje si në nivel lokal ashtu edhe në nivel kombëtar dhe të arrihet ekuilibri i duhur. Është diçka për të cilën ne në Shtetet e Bashkuara po punojmë vazhdimisht. Mund të them se kam takuar disa zyrtarë vendorë shumë interesantë në të gjithë Shqipërinë, por edhe këtu gjatë dy ditëve të fundit, të cilët po mundohen të punojnë mbi problemet vendore.

Dhe ne jemi vërtet krenarë që jemi pjesë e kësaj përpjekjeje, përmes mbështetjes, programeve të ndryshme. Dhe është shumë e rëndësishme që të vazhdohet të punohet për këto çështje teksa Shqipëria forcon demokracinë e saj çdo ditë.

Gazetari: Nisur nga këto konstatime, si mendoni ju, cilat janë problemet në këto zona, ku sipas statistikave zyrtare numri i të larguarve është më i madh? Si mendoni ju, cilat janë problemet aktuale që kërkojnë zgjidhje të shpejtë dhe cilat mund të jenë ato që kërkojnë zgjidhje afatgjata?

I Ngarkuari me Punë Wisner: Është një pyetje e shkëlqyer dhe mbi të cilën po punojnë shumë njerëz në Shqipëri. Migrimi është një sfidë. Shqipëria duhet të mbajë këtu të rinjtë e saj vërtet të zgjuar dhe të talentuar duke punuar me të gjitha mundësitë që janë këtu. Jemi shumë të kënaqur që luajmë rolin tonë pikërisht këtu në Gjirokastër. Për t’ju dhënë një shembull – siç thashë më herët, sapo patëm një program shumë interesant këtu me Shkollën Koto Hoxhi, ku ndihmonim fëmijët e vegjël të mësojnë anglisht në një nivel shumë më të mirë, të cilin ata do të mund ta përdorin qartë në këtë vend përmes mundësive të ndryshme të ndryshme që ekzistojnë. Dhe gjithashtu ndërsa ngjitemi në brezat më lart, kishim një grup të mrekullueshëm në universitetin këtu, i cili ka shkuar në Shtetet e Bashkuara si pjesë e një programi nga ambasada, ka punuar në Shtetet e Bashkuara, ka mësuar aftësi në Shtetet e Bashkuara, është kthyer këtu. dhe janë duke marrë pjesë në jetën universitare këtu, dhe më thanë se po mendonin edhe për punë këtu. Dhe kështu, ne jemi vërtet krenarë që po luajmë një rol. Këta janë vetëm disa shembuj të vegjël të gjërave që mund të ndihmojnë atë sfidë me të cilën po përballet Shqipëria, e cila është një sfidë e madhe, por që kam shumë besim se shumë njerëz po mendojnë dhe po përpiqen ta përmirësojnë.

Gazetari: Ju patët edhe një takim me përfaqësuese të shoqërisë civile në Gjirokastër. Si e vlerësoni rolin e tyre në zhvillimet e këtushme? Çfarë mund të ofrojnë më tepër këto për komunitetet dhe për zgjidhjen e problemeve që kanë komunitetet në jug?

I Ngarkuari me Pune Wisner: Kjo është një pyetje e shkëlqyer. Shpesh herë mendojmë se demokracia është përgjegjësi e qeverisë, por është edhe përgjegjësia e një qytetarie aktive dhe të informuar të dalë dhe të marrë pjesë në jetën publike. Kam kaluar kohë të shkëlqyer duke takuar disa aktivistë shumë, shumë interesantë të shoqërisë civile këtu, të cilët po bëjnë gjithçka, nga puna me mbrojtjen e lumit Vjosa deri te puna për edukimin mediatik. Madje takova një debatuese kampione, gjë që ishte vërtet emocionuese, një vajzë e re. Dhe kështu, e di, ajo që bëri është që më tregoi se këtu ka mundësi reale dhe interes real për shqiptarët që janë të përkushtuar për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Dhe unë po largohem i frymëzuar thellësisht nga përpjekjet e tyre. Shpresoj, në këtë ditë të vullnetarizmit, që njerëzit të dalin dhe t’i bëjnë komunitetet e tyre pak më të mira. Kjo ndodh çdo ditë në Shtetet e Bashkuara. E di që po ndodh këtu dhe thjesht do t’i nxisja të gjithë shikuesit tuaj të mendojnë se si mund ta bëjnë komunitetin e tyre vetëm pak më të mirë sot dhe çdo ditë.

Gazetari:  Zoti David, unë ju falënderoj për praninë tuaj, për vizitën në Gjirokastër dhe për intervistën që dhatë për Radio-Televizionin Gjirokastra.

I Ngarkuari me Pune Wisner: Shumë faleminderit!   

RTSH Shkodra

Recent Posts

Rusia lëshon 188 dronë drejt Ukrainës, godet “infrastrukturën kritike”

Një numër rekord dronësh rusë dëmtuan të martën disa godina dhe "infrastrukturën kritike" në rajone…

59 seconds ago

Gurët në veshka, nefrologia: Dimri rrit rrezikun e formimit të tyre. Ja metodat parandaluese

Gurët në veshka krijohen nga çrregullime në përqendrimin e kristaleve të urinës, që shkaktohen nga…

2 hours ago

Rama: Restaurimi i filmit “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Filmi “Kthimi i ushtrisë së vdekur” me skenar dhe regji nga Dhimitër Anagnosti, ekranizim i…

2 hours ago

“Travel and Tour World”: Shqipëria, një yll në rritje në turizmin evropian

Juliette Losardo, drejtoreshë e Ekspozitës së Tregut Botëror të Udhëtimit 2024 (World Travel Market London…

2 hours ago

Aksident në Shkodër-Koplik, makina përplas për vdekje 80-vjeçarin

Një aksident me pasojë vdekjen e një 80-vjeçari është regjistruar mëngjesin e sotëm në aksin…

2 hours ago

Diskutojnë për luftën në Ukrainë/ Erdogan pret shefin e NATO-s

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan priti në Ankara Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte.…

2 hours ago

This website uses cookies.