Dëbora zbardh Kosovën, vështirësi në qarkullimin në rrugët kryesore që lidhin qytetet

Debora zbardh Kosoven
Kosova është përfshirë nga reshje të dendura të dëborës që kanë shkaktuar vështirësi në qarkullimin rrugor në vend.
Mëngjesin e sotëm shumica e rrugëve kryesore interurbane dhe atyre rajonale ishin të papastruara, siç ishte rasti i rrugës që lidh Prishtinën me Pejën, ku disa automjete dolën jashtë rrugë.
Në fshatin Vragoli, në drejtim të Pejës, u krijuan radhë të gjata me automjete. Në Fushë Kosovë dhe në Prishtinë, rrugët kryesore ishin të pastruara por jo edhe ato dytësore.
Ndërsa, në shumicën e komunave të Kosovës, për të disatin vit, autoritetet lokale nuk kanë arritur të pastrojnë borën nga rrugët.
Në shumë prej tyre nuk janë kontraktuar kompani për mirëmbajtjen e rrugëve.
Edhe në aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës, pati vështirësi, por pa shkaktuar anulim apo shtyrje të fluturimeve. Ndërkohë, Qendra Kombëtare e Menaxhimit Kufitar ka njoftuar se pavarësisht dëborës që ka rënë, janë të kalueshme të gjitha rrugët në pikat kufitare.