Dedë Gazulli, një ditëlindje në amshim, familjarët i dhuruan bibliotekës “Zoja e Shkodrës” koleksionin e tij
Në Famullinë dhe Bibliotekën “Zoja e Shkodrës” u kujtua një prej figurave me një kontribut të rëndësishëm social. “Dedë Gazulli, një ditëlindje në amshim” u emërtua kështu takimi për përvjetorin e parë të lindjes pas ndarjes nga jeta. “Një person me një humanizëm të veçantë”, e konsideron Dedë Gazullin, famullitari Dom Vlash Palaj.
Revista “Shkenca dhe Jeta” ishte koleksioni që familjarët e Dedë Gazullit dhuruan për Bibliotekën “Zoja e Shkodrës”.
Dedë Gazulli ishte një nga ata persona të thjeshtë që la gjurmët e tij në jetën e qytetit. Ai dha kontribut të madh si drejtues i Sektorit Kundër Dhunës në Familje dhe Mbrojtjes së të Miturve në Policinë e Shkodrës, po ashtu edhe si ish-anëtar i Koalicionit të Anti-Drogës. Ai ishte jo vetëm një njeri i cultures, por edhe një qytetar i denjë i Shkodrës. Ndonëse pa një dekoratë shtetërore, Dedë Gazulli e kishte marrë prej kohësh dekoratën popullore përmes vlerësimit dhe respektit që gëzonte Shkodra për të.