Dedgjonaj: Probleme me energjinë në Lezhë, të ketë më shumë investime në buxhetin 2024
Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike, Alfrida Marku Dedgjonaj u shpreh sot në deklaratë për mediet se furnizimi me energji elektrike në Lezhë, edhe në këtë prag dimri, vijon të jetë në gjendje tejet problematike.
Çdo ditë, sipas saj, banorët dhe bizneset, në cdo njesi administrative, në qytet dhe fshat, përballen me ndërprerje disa orë të energjisë elektrike.
“Projektbuxheti 2024 ofron gjithmonë e me pak para për përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike në Lezhë e sidomos në zonat rurale. Mungesa e investimeve, amortizimi i rrjetit aktual dhe mos pasja prioritet e banorëve në këtë zonë është tepër shqetësuese. Ndërprerja e energjisë godet jo vetëm jetën familjare por më së shumti edhe bizneset”, vijoi Dedgjonaj.
“Në këto kushte, kërkojmë që në buxhetin e propozuar të ketë më shumë vëmëndje sa i përket planit të investimeve për vitin 2024 dedikuar rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike në Bashkinë Lezhë, si domosdoshmëri për banorët e Lezhës”, tha ajo.