Deeuroizimi shpresë për fuqizimin e Euros
Zhvlerësimi i monedhës europiane në raport me Lekun nuk e ka ndalur ritmin edhe për këtë të mërkurë. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, 1 Euro u këmbye në vlerën e 101.4 Lekëve, duke humbur kështu 0.13 pikë në krahasim me një ditë më parë.
Nga ana tjetër pavarësisht përditësimit që bën Banka e Shqipërisë, e cila merret si pikë referimi për pikat e autorizuara të këmbimit valuator, monedha Euro u këmbye me vetëm 101 Lekë.
Pak ditë më parë në Komisionin e Ekonomisë, ministri i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete u shpreh se do të ndërhyhet duke rishikuar strategjinë e deeuroizimit të nisur që në vitin 2017.
Ndërkohë në relacionin e projektbuxhetit 2024, Ministria parashikon që kursi i këmbimit të rifitojë pozitat e tij të humbura së fundmi në raport me Lekun, duke qëndruar nën 110 Lekë.
Paralelisht me këtë luhatshmëria e kursit shihet me impakt negativ në TVSH-në mbi importet e mallrave për shkak të uljes së vlerës së tyre.