Dëgjesa me KLSH, Ekonomi “mollë sherri” te Shëndetësia, opozita: Ka konflikt interesi, të largohet! PS rrëzon kërkesën
Deputetja Milva Ekonomi është bërë shkak që opozita dhe mazhoranca të përplasen sërish në mbledhjen e Komisionit Hetimor për koncesionet e sterilizimit dhe check up në Shëndetësi.
Sot kur pritet të raportojë KLSH në këtë komisionin, opozita ka kërkuar largimin e Ekonomit me argumentin se është në konflikt interesi. Por ajo vetë e ka hedhur poshtë këtë fakt duke thënë se në kohën kur ishte në KLSH nuk ka qenë deputete.
Për opozitën nuk është logjike që Ekonomi të hetojë veten e saj dhe ka kërkuar largimin nga dy mbledhjet që do zhvillohen për dëgjesa me KLSH.
Përmes votimit, anëtarët e PS e kanë hedhur poshtë kërkesën e opozitës për largimin e Ekonomit nga mbledhja.
Debatet në komision:
Zhupa: A duhet që kryetarja të marrë në pyetje ata që dikur e kanë audituar, a ka një konflikt interesi? Nëse vendoset, të merret një vendim dhe për çështje kuorumi , nëse do të qëndrojë në mbledhje apo jo që edhe gjetjet, edhe pyetjet që nesër të mos ketë problematika si një material i ndotur në pikëpamje procedurale. Ka konfliktit të interesit të Milva Ekonomit. A mund të hetojë zonja Ekonomi veten?
Ndreca: Më vjen keq që vazhdoni me idenë që mendoja se e kishit kaluar. Ekonomi ka ushtruar një detyrë publike dhe KLSH, për rrjedhojë nuk ka asnjë konflikt interesi. Nuk kemi objekt kontrolli individë të caktuar por çështje të caktuara.
Ekonomi: Më rezulton se s’kam konflikt interesi. Duke kuptuar si funksion fondi vetë, është institucion financiar që zbaton kontrata, nuk harton. E kam bërë këtë detyrë duke mos qenë deputete. Konflikt interesi lind në momentin që ti merr mandat deputeti, e kam marrë në 2017. Për periudhën që flasim s’kam konflikt interesi.