Deklarata e Vulin, reagon Meta: E turpshme, shërbim i kërkuar nga Rama
Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta në një konferencë për media, ka reaguar mbi deklaratën e bërë nga zv.kryeministri serb Aleksandër Vulin i cili bëri thirrje për bashkimin e Serbisë dhe Greqisë kundër Shqipërisë së Madhe, teksa i referohej takimit të Kryeministri Rama me diasporën shqiptare më 12 maj në Athinë.
Sipas Metës, deklarata nuk është asgjë tjetër veçse shërbim i kërkuar nga Kryeministri për ta paraqitur në sytë e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve si një pastriot dhe me qëllim zhvendosjen e vëmendjes nga problemet aktuale që ka vendi ynë.
Meta theksoi se qëndrimi i Vulin është i turpshëm për të gjithë qytetarët e rajonit.
“Edi Rama në mënyrë të përsëritur në funksion të agjendës së Beogradit, krijon debate që nuk ekzistojnë, por që i shërbejnë shefave të Ramës, për të përdorur dhe sjelljet e tij për të dëmtuar Shqipërinë, Kosovës dhe çështjet shqiptare dhe për të minuar vlerat evropiane.
Deklarata e Vulin është një shërbim i kërkuar nga Edi Rama, për t’u paraqitur si patriot i madh që synon të bëjë Shqipërinë Madhe, atë që po tretet falë projektit të tij.
Ne jemi të vendosur të bashkëpunojmë mbi bazë partneriteti. Do respektojmë vullnetin e udhëheqësve dhe institucioneve të zgjedhur atë Kosovës.
Kosova është shtet i pavarur dhe këtë e ka shprehur jo vetëm populli I Kosovës por e ka njohur e ka legjitimuar edhe gjykata ndërkombëtare e drejtësisë, të cilën Rama se ka përmendur asnjëherë. Ne do marrim nga Serbia çdo gjë të mirë por jo miellin.
Ne do marrim nga Serbia modelin si ajo ka arritur të ketë të ardhurat në 42.6% të PBB ndërkohë që ne e kemi 27.5% se Rama vjedh pa frena.
Ne do marrim nga Serbia eksperiencat më të mira, mënyrën si mbështet blegtorinë.
Marrëdhëniet tona me Serbinë do jenë transparente, por janë dhe do mbeten në interes të paqes e stabilitetit të rajonit e Shqipëria s’do përdoret për t’i ngulur thika pas shpine Kosovës”, tha Meta.