Deklarata për të ardhurat, afati 30 prill për ata që fitojnë mbi 2 milionë lekë në vit dhe të dypunësuar
Afati për dorëzimin e DIVA, Deklarata Individuale Vjetore e te Ardhurave për vitin 2023 dhe pagesën e detyrimit tatimor (nëse ka) është data 30 PRILL 2024.
Po cilët individë kanë detyrimin ligjor për të dorëzuar këtë deklaratë?
Sipas ligjit aktual, detyrimin për dorëzimin e DIVA e kanë individët që plotësojnë një nga 2 kriteret, pra që:
Totali i të ardhurave të individit gjatë vitit 2023 është mbi 2 milionë Lekë (rezidentët shqiptarë deklarojnë të ardhurat nga të gjitha burimet, ndërsa jo-rezidentët vetëm të ardhurat me burim në Shqipëri) ose Individi ka qenë i punësuar në 2 subjekte (i dypunësuar) të paktën gjatë një muaji të vitit 2023.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë me dije se, kur një individ, që është i regjistruar si person fizik dhe ndërkohë gjatë një muaji të caktuar është i përfshirë në listëpagesën e një punëdhënësi tjetër, NUK konsiderohet si i 2-punësuar për qëllime të DIVA-s.
Të dhënat zyrtare nga tatimet referojnë se në vitin 2023 kishin detyrimin për të plotësuar DIVA-n 106,208 persona. Në vitin 2024, kanë afat, deri në datën 30 Prill të këtij viti, rreth 75 mijë individë, që kanë të ardhura mbi 2 milionë lekë në vit. Detyrimin për të plotësuar DIVA e kanë individët rezidentë apo jo rezidentë, të cilët kanë qenë të punësuar në më shumë se 1 (një) punëdhënës, pavarësisht se totali i të ardhurave të tyre gjatë këtij viti kalendarik është nën 2.000.000 (dy milionë) lekë.
Tregu i pagave në vendin tonë karakterizohet nga një nivel i lartë informaliteti, sidomos në sektorin privat. Nën deklarimet përfshijnë edhe pagat e larta. Sipas një studimi të fundit të OECD në Shqipëri, informaliteti në tregun e punës është i përqendruar 60% në pagat e ulëta, 20 për qind në pagat mesatare dhe 20 për qind në paga të larta.
Gazetar: Bardhi Sejdarasi