Deklaratat e Bardhit, Alibeaj: Opozitarizmi s’është çertifikatë sa herë që një person ndryshon qëndrim
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, njëkohësisht edhe bashkëkryetar i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Enkelejd Alibeaj, bëri të ditur të mërkurën se Komisioni për Reformën Zgjedhore nuk është “Rruga e Shpresës” dhe se nuk mund të bëhet show politik.
Ndonëse nuk i referohet me emër, Alibeaj i është kundërpërgjigjur deputetit të opozitës, Gazment Bardhi, i cili deklaroi gjatë paradites se “vullneti i njërës palë nuk mund t’i mbivendoset palës tjetër”.
“Tradita është që opozita dhe maxhoranca, jo thjesht duhet të kenë numra të barabartë, por vullneti i njërës palë nuk mund t’i mbivendoset palës tjetër. Vijimi i farsës duke ripërsëritur kërpëratat e 2020 në një reformë të njëanshme zgjedhore të paralajmëruar për të premten është një tjetër fasadë të atyre që për 22 muaj bllokuan reformën zgjedhore duke i mundësuar Edi Ramës zgjedhjet e 14 majit me të njëjtat problematika” tha Bardhi.
Por sipas Alibeajt, opozitarizmi nuk është certifikatë që të mund ta shpërndajë dikush.
Sipas tij, ashtu siç PD ka bërë deri më tani, për të mbrojtur interesat e qytetarëve shqiptarë dhe zgjedhjet e ndershme: me lista të hapura, Shqipëria 1 zonë elektorale, votë për diasporën dhe votim & numërim elektronik.
Alibeaj thekson se rregullat nuk ndryshojnë sa herë që ndonjë deputet ndryshon qëndrim.
“Komisioni i Reformës Zgjedhore nuk është vendi ku bëhet show politik, qoftë edhe për të shkuar drejt rrugës së shpresës. Opozitarizmi nuk është çertifikatë që të mund ta shpërndajë dikush. Rregullat e lojës janë ato të caktuara, që kur u nis procesi i reformës.”, shkruan Alibeaj në rrjetin social Facebook.
Sipas tij, në komisionin për Reformën Zgjedhore, çdo parti dhe fluks opozitar është i mirëpërfaqësuar, me kërkesë të vetë PDSH.
“Secili ka të drejtë dhe detyrim të marrë pjesë, të ulet, të punojmë e të bëjmë propozime opozitare bashkë. Ashtu siç PD ka bërë deri më tani, për të mbrojtur interesat e qytetarëve shqiptarë dhe zgjedhjet e ndershme: me lista të hapura, Shqipëria 1 zonë elektorale, votë për diasporën dhe votim & numërim elektronik. Rregullat nuk ndryshojnë sa herë që ndonjë deputet ndryshon qëndrim.”, shkruan Alibeaj.
Sipas tij, PD është e vendosur pë Reformë Zgjedhore për shqiptarët.