Deklaratë e ambasadorëve në Shqipëri: Mbështesim Shqipërinë për mjedis mediatik pa intimidime!
Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ambasadorët dhe ambasadat në Shqipëri, anëtarë të Koalicionit Botëror të Lirisë së Medias, si edhe përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara, OSBE-së dhe Bashkimit Europian përmes një deklarate ripohuan angazhimin për lirinë e shtypit dhe lirinë e shprehjes.
“Ne përsëritëm mbështetjen tonë për Shqipërinë që të vazhdojë të zhvillojë një mjedis mediatik, ku gazetarët profesionistë dhe etikë mund të hetojnë dhe raportojnë në mënyrë objektive, pa frikë dhe pa u intimiduar. Një media e pavarur është thelbësore për një demokraci funksionale”, bëhet e ditur në deklaratën e përbashkët të ambasadorëve.
“Ne theksuam rëndësinë e gazetarëve që raportojnë profesionalisht dhe ruajnë standardet e sjelljes, duke përfshirë shmangien e interesave personale, politike apo financiare. Ne inkurajojmë mediat shqiptare të nxisin përfaqësime gjithëpërfshirëse dhe të shmangin diskriminimin dhe paragjykimin. Ne përqafojmë rëndësinë e gazetarisë dhe lirinë e shprehjes në përballjen me krizën globale të mjedisit”, vijon më tej deklarata.
Në deklaratë thuhet se grupi i ambasadorëve diskutoi mbi shqetësimet për raportet e fundit të sulmeve dhe abuzimeve drejtuar gazetarëve, duke përfshirë diskriminimin me bazë gjinore, dhe ritheksoi angazhimin për të folur hapur kur kjo ndodh.
“Sulmet ndaj gazetarëve apo ndaj shtypit të lirë nuk mund të justifikohen kurrë” thekson deklarata.
“Ndërsa shënojmë Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ne duartrokasim trimërinë e gazetarëve në raportimin e së të vërtetës duke u mundësuar qytetarëve të marrin informacion të saktë. Ne u bëjmë thirrje politikanëve, autoriteteve të zbatimit të ligjit, biznesit të sigurojnë që gazetarët ta kryejnë lirisht këtë detyrë jetike”, përfundon deklarata e ambasadorëve dhe ambasadave në Shqipëri, anëtarë të Koalicionit Botëror të Lirisë së Medias, si edhe përfaqësuesve të Kombeve të Bashkuara, OSBE-së dhe Bashkimit Europian.