Dekretohen rektorët e zgjedhur/Tonin Gjuraj do të nisë detyrën si rektor i UNISHK ditën e martë
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, dekretoi sot rektorët e rinj të universiteteve të Shqipërisë.
Kreu i Shtetit e ndërmori këtë akt në mbështetje të Kushtetutës, ligjit “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, si dhe mbi bazën e rezultateve të zgjedhjeve për organet dhe autoritetet drejtuese në universitetet publike. Gjatë fjalës përshëndetëse në ceremoninë e dekretimit, Presidenti Begaj theksoi sfidat me të cilat përballet arsimi i lartë shqiptar dhe misionin e drejtuesve të universiteteve publike.Kreu i Shtetit, Begaj, këshilloi rektorët të krijojnë mundësi të barabarta dhe stimuluese në Shqipëri për të rinjtë përmes transformimit të universiteteve dhe ofrimit të kushteve që të rinjtë tanë të mos ndihen të detyruar ta kërkojnë suksesin jashtë vendit. Rektori i zgjedhur i UNISHK, Tonin Gjuraj pritet të nisë detyrën e re ditën e martë në orën 09:00.