Del për konsultim publik ligji i ri i pronave. Taksa mbi pasuritë e paluajtshme …
Del për konsultim publik ligji i ri i pronave. Taksa mbi pasuritë e paluajtshme do t’i nënshtrohet një konsultimi të gjerë
Këshilli i Ministrave nuk ka vonuar për të bërë publik një ligj të rëndësishëm që lidhet me një reformë gjithëpërfshirëse mbi taksën e pasurisë. Draftligji tashmë është hedhur për konsultim publik dhe do të qëndrojë në portalin përkatës deri në datën 31 gusht të këtij viti.
Ligji i ri, puna për të cilin ka filluar në vitin 2017 me mbështetjen e Agjencisë Suedeze të Taksave, sjell risi në vlerësimin e pasurive të paluajtshme.
Aktualisht regjimi tatimor i vendos në shumë raste të njëjtën barrë tatimore, si një personi që ka pasuri të paluajtshme në qendër të qytetit, ashtu dhe një personi që ka pasuri të paluajtshme, me të njëjtat karakteristika, por në periferi të qytetit, me vlerë tregu më të ulët.
Sipas autorëve të ligjit, një sistem taksimi i bazuar në vlerën e tregut të pasurive të paluajtshme, ofron më shumë drejtësi dhe mundëson një diferencim më të mirë të barrës tatimore për pasuri të paluajtshme me vlera të ndryshme tregu. Kjo bën që barra tatimore të bjerë kryesisht mbi ata që kanë të ardhura të mira, apo aftësinë për të paguar, meqenëse pasuria e paluajtshme është shpesh depozita parësore e pasurisë së taksapaguesve.
Duke qenë se taksa e pasurisë llogaritet duke u bazuar në vlerën e tregut të pasurive të paluajtshme, duke marrë në konsideratë përdorimin alternativ më të mirë të pasurisë së paluajtshme, ajo do të ofrojë një nxitje të fortë për të shfrytëzuar pronat në mënyrë produktive psh. tokat dhe ndërtesat e pashfrytëzuara.
Ligji i ri i hap rrugën edhe ngritjes së kadastrës fiskale si dhe ofron disa lehtësi për kategori të caktuara. Për banesën e parë, zbatohet një zbritje e taksës e barabartë me 50% të vlerës së vlerësuar. Individi i cili ka në pronësi dy ose më shumë njësi rezidenciale, ka të drejtën e zbritjes për banesën e parë, për vetëm një prej këtyre njësive të ndërtesave.
Në ndërkohë përjashtohen nga kjo taksë pronat shtetërore; pronat fetare; ndërtesat e papërfunduara; hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special” njohur si “brand name”; kryefamiljarët që trajtohen me ndihmë ekonomike; kryefamiljarët që përfitojnë vetëm pension pleqërie, dhe mjaft kategori të tjera.
Ligji i ri pritet t’i nënshtrohet një konsultimi të gjerë me të gjitha grupet e interesit.