Del për konsultim publik pr/ligji i ri për Policinë e Shtetit: Drejtuesit do të zgjidhen me konkurrim, kryefjalë meritokracia

Kreu i Policisë së Shtetit do ketë mandat 5-vjeçar dhe do të zgjidhet me konkurs. Po ashtu dhe Drejtorët e Drejtorive vendore, të cilët do të kenë mandat 3-vjeçar.

Ky është një nga propozimet e parashikuara në projektligjin e ri të Policisë së Shtetit që është publikuar më 13 mars 2024 në faqen e Konsultimit Publik dhe që pritet t’i nënshtrohet konsultimit publik deri më 2 prill 2024.

Projektvendimi është hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Ministria e Brendshme. Draftligji është dërguar për mendim tek Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Po ashtu, draft ligji i është nënshtruar dhe konsultimeve të tjera. Ai është hartuar nga grupi i punës i përbërë nga anëtar të Policisë së Shtetit dhe nëpunës të Ministrisë së Brendshme.

Në takimet e grupit të punës kanë marrë pjesë edhe organizata partnere ndërkombëtare, ku projektligji ka konsideruar dhe reflektuar gjerësisht rekomandimet e vlerësimeve të organizmave dhe ekspertizës ndërkombëtare/evropiane/rajonale si rekomandimet e progres raportit të Komisionit Evropian, GRECO-s, OSCE, por edhe modeleve dhe standardeve të policimit, transparencës dhe integritetit, eficiencës së menaxhimit dhe drejtimit policor, operacionalitetit, modernizimit dhe aspekte të tjera të shprehura në rekomandimet e ICITAP, EU4LEA, CIDS.

Sa i takon draftligjit, ai është ndarë në 17 kapituj dhe 141 nene, ku i fundit është koha dhe modalitetet e hyrjes në fuqi të ligjit dhe akteve nënligjore.

Në projektligj lexohet se, “përzgjedhja e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit kryhet nëpërmjet një procedure transparente konkurrimi të kandidatëve që plotësojnë kriteret ligjore dhe shprehin interes për këtë pozicion. Ministri ngre një Komision ad hoc, i cili, pas procesit të vlerësimit të tyre, i propozon kandidaturat për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Ministri i propozon Këshillit të Ministrave kandidaturën për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Përbërja dhe rregullat e funksionimit të Komisionit ad hoch përcaktohen në Rregulloren e Policisë së Shtetit”, lexohet në draft ligji.  Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit qëndron në detyrë për një periudhë prej 5 vitesh, me të drejtë ri-konkurrimi edhe për një mandat të dytë . E njëjta procedurë ndiqet edhe për Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. “Emërimi, lirimi dhe shkarkimi i Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit bëhet me urdhër të Ministrit, me propozim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Ministri ngre një Komision ad hoc, i cili shqyrton kandidaturat e propozuara për Zëvendësdrejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Përbërja dhe rregullat e funksionimit të Komisionit ad hoc përcaktohen në Rregulloren e Policisë së Shtetit”, lexohet në draftligj.

E njëjta procedurë do të ndiqet dhe për përzgjedhjen e drejtorive vendore, të cilët do të kenë mandat 3-vjeçar dhe të drejtë rikandimi për një mandat të dytë. Emërimet e drejtuesve të departamenteve do të realizohet me urdhër të Drejtuesit të Policisë së Shtetit.

Gjithashtu propozohet që gradat inspektor, inspektor i parë dhe i dytë do të bashkohen në një gradë të vetme, të emërtuar inspektor. Ndërsa nga grada nënkomisar deri tek grada drejtues i parë, duhet të kenë përkatësisht nga 4 vite eksperiencë.

Po ashtu, në draft ligj lexohet se: Në projektligj janë përcaktuar mekanizma për garantimin e transparencës në emërime apo vendimmarrjen me ndikim në aspekte kyçe të veprimtarisë së Policisë së Shtetit.

“Në këtë kuadër janë krijuar organe kolegjiale si (Këshilli i Policisë, Këshillat e Emërimeve, Komisionet e Karrierës, Komisionet ad-hoch për përzgjedhjen e drejtuesve të lartë të policisë). Risi është propozimi i konceptit të përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit përmes një procesi konkurrimi. Në kreun e gjashtë me titull “Pranimi, formimi dhe ecuria në karrierë”, është zgjeruar spektri i burimeve të pranimit në dy nivelet më të ulëta menaxheriale (roli zbatues dhe roli i parë drejtues) në Policinë e Shtetit në mënyrë të shkallëzuar dhe të balancuar, duke mundësuar plotësimin e nevojave të personelit, garantimin e karrierës brenda institucionit dhe përparësinë e kësaj kategorie, por edhe rritjen e konkurrencës dhe cilësisë së personelit të rekrutuar, përmes një procedure të qartë dhe me faza”.

“Në projektligj janë propozuar pranimet me konkurrim të shtetasve me arsim të mesëm të lartë, studentëve ekselentë, për nivelin e parë drejtues, duke marrë gradën “Nënkomisar”, pas arsimimit përkatës në institucionin arsimor të sigurisë publike. Projektligji parashikon rekrutimin e punonjësve nga institucionet e tjera të sigurisë si Forcat e Armatosura, Gardës së Republikës, Policisë së Burgjeve, oficerët e policisë gjyqësore, pra vetëm në dy nivelet më të ulëta menaxheriale të Policisë së Shtetit, pas marrjes së arsimimit përkatës formues policor dhe duke u punësuar në gradat më të ulëta të këtyre niveleve”, lexohet në draftligj.

“Gjithashtu janë qartësuar kriteret e përgjithshme për aplikimin për pranim në Policinë e Shtetit. Risi në këtë kre është gjithashtu edhe përfshirja e konceptit të trajnimit të detyrueshëm në shërbim me qëllim garantimin e kapaciteteve të nevojshme profesionale për përmbushjen e funksioneve policore. Kategoritë e pranimit në rolet policore janë si më poshtë: – Pranimi në rolin zbatues në polici nëpërmjet konkurrimit; – Pranimi në rolin zbatues në Policinë e Shtetit nga institucionet e tjera të sigurisë; – Pranimi në rolin e parë drejtues në Policinë e Shtetit nëpërmjet konkurrimit; Relacion për projektligjin “Për Policinë e Shtetit” – Pranimi në rolin e parë drejtues në Policinë e Shtetit nga institucionet e tjera të sigurisë; – Pranimi në rolin e parë drejtues në Policinë e Shtetit nga punonjësit e rolit zbatues me arsim të lartë;  – Pranimi në rolin e parë drejtues në Policinë e Shtetit  i shtetasve të diplomuar në ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë; – Pranimi në rolin e parë drejtues në Policinë e Shtetit i oficerëve të Policisë Gjyqësore”, thuhet në draftligj.

Në kreun e shtatë, me titull “Karriera policore dhe menaxhimi policor”, përcaktohet sistemi i gradave dhe hierarkia e menaxhimit policor që përbëhet nga katër role policore (zbatues, i parë drejtues, i mesëm drejtues dhe madhor).

“Në këtë kre është parashikuar edhe procedura e emërimit të punonjësve të policisë përmes krijimit dhe funksionimit të Këshillave të Emërimeve në dy nivele atë qendror dhe vendor, përkatësisht për gradat “Inspektor“ deri në “Nënkomisar” dhe “Komisar” deri në “Drejtues i Parë”.  Në ndryshim nga praktika e mëparshme, gradat e rolit zbatues janë reduktuar vetëm në një gradë funksionale “Inspektor” me qëllim rritjen e fleksibilitetit për menaxhimin e punonjësve të këtij roli sipas nevojave operacionale të Policisë së Shtetit. Trajtimi financiar punonjësve të rolit zbatues do të jetë i diferencuar bazuar në vjetërsinë në detyrë dhe funksionit përkatës brenda kësaj grade. Në këtë kre janë përcaktuar gjithashtu edhe kriteret e përgjithshme për ecurinë në gradë  përfshirë afatin e qëndrimit në gradë, i cili nga “Inspektor” deri në “Nënkomisar” është 5 vjet, kurse për gradat e tjera deri në “Drejtues i Parë” 4 vjet duke krijuar një sistem të ecurisë në gradë më motivues për karrierën policore, përmes shkurtimit të kohës së qëndrimit nga grada në gradë.

Në vjetërsinë për efekt konkurrimi për fitimin e gradës llogaritet edhe koha e ndërprerjes së karrierës për shkak të kohës së trajnimit, kur nuk i kalon 6 muaj të pandërprerë gjatë vitit kalendarik. Një rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe arsimimit dhe kualifikimeve për fitimin e gradës ku është përcaktuar se punonjësi i policisë për të fituar gradën “Nënkomisar” dhe “Drejtues” duhet të përfundojë programin e arsimimit përkatës Relacion për projektligjin “Për Policinë e Shtetit” dhe/ose programin e trajnimit përkatës, ndërsa për fitimin e gradave të tjera duhet të përfundojë programin e trajnimit përkatës. Në këtë mënyrë do të rritet niveli i arsimimit dhe kualifikimit të punonjësve të policisë si edhe konkurrenca për gradë, duke i shndërruar ato në kriterin bazë për konkurrimin për fitimin e gradës pasardhëse, ndryshe nga praktika e mëparshme kur këto trajnime/kualifikime realizoheshin pas marrjes së gradës pasardhëse. Afati i qëndrimit në listë pritjeje për dhënien e gradës nuk mund të jetë më shumë se 12 muaj. Nëse brenda këtij afati nuk bëhet e mundur dhënia e gradës, punonjësi i nënshtrohet konkurrimit të radhës.  Punonjësit të policisë i garantohet e drejta ankimit në komisionin e apelimit në çdo fazë të procesit për fitimin e gradës”, thuhet në projektligj.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.