Dëmtohet tubacioni i gazit Finlandë-Estoni, NATO zotohet për përgjigje nëse ngjarja rezulton e qëllimshme
NATO ka premtuar një përgjigje “të vendosur” nëse dëmtimi i një gazsjellësi nënujor midis Finlandës dhe Estonisë rezulton i qëllimshëm, pasi hetuesit thanë se gjurmët e një “force të jashtme mekanike” ishin gjetur në shtratin e detit.
Mes spekulimeve të përhapura mediatike për gjasat e sabotimit rus, Risto Lohi i Byrosë Kombëtare të Hetimit finlandez tha në një konferencë shtypi në Helsinki të mërkurën se ka arsye të dyshohet se një forcë e jashtme e ka shkaktuar dëmin.
“Forca duket se ka qenë mekanike, jo një shpërthim”, u shpreh ai.
Shefi i agjencisë, Robin Lardot, tha se shenjat ishin gjetur në shtratin e detit në vendin e dëmtimit të tubacionit. Operatorët e tij thanë se do të duheshin të paktën pesë muaj për të riparuar tubacionin, që do të thotë se nuk kishte gjasa të vihet përsëri në qarkullim deri në prill 2024.
Autoritetet finlandeze njoftuan të martën se një rënie e papritur e presionit në gazsjellësin e regjistruar të dielën ishte shkaktuar nga dëmtimi i madh që “dukej të ishte i qëllimshëm”.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të mërkurën se nëse dëmtimi provohet se është një sulm ndaj infrastrukturës kritike të NATO-s “do të përballet me një përgjigje e bashkuar dhe e vendosur nga aleanca”.
Incidenti ndodhi pak më shumë se një vit pasi një seri shpërthimesh nënujore shpërthyen tre nga katër tubacionet që përbëjnë Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2, një kanal kryesor për eksportet e gazit fosil rus në Evropën Perëndimore, duke nxjerrë gaz në Detin Baltik.
Niveli i gatishmërisë së Finlandës u ngrit të mërkurën pas një takimi të jashtëzakonshëm të një komiteti ministror të nivelit të lartë për politikën e jashtme dhe të sigurisë./ The Guardian