Denaj: Finalizohet laboratori i parë për fidanët dhe bimët medicinale në Shkodër
Ministrja E Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj në kuadër të vizitës në Shkodër, zhvilloi një takim edhe me punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.
Denaj ka theksuar se garantimi i sigurisë ushqimore dhe mbrojtja e shëndetit të konsumatorëve mbetet fokus në të gjithë vendin, me marrjen e masave për çdo jokonformitet dhe luftën ndaj abuzuesve.
Ministrja nënvizon se roli i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit është kyç për të mbrojtur shëndetin e konsumatorëve, duke forcuar kontrollet në terren dhe në PIK.
“Monitorimi i punës së inspektoreve do të jetë përgjegjësi e shtuar e strukturave qendrore”, shprehet Denaj në një postim në rrjetet sociale.
Gjithashtu, ministrja vë në dukje se laboratorët e AKU-së janë një investim i rëndësishëm.
Denaj bëri të ditur se është finalizuar laboratori i parë për farat, fidanët dhe bimët medicinale në qarkun e Shkodrës nga 5 laboratorë të siguruar falë mbështetjes së Bankës Botërore.