Denaj: Shegë të varitetit “Wonderful One”, shkojnë për eksport
Kërkesa nga tregjet e huaja ka bërë që shega të jetë në vëmendjen e prodhimit bujqësor shqiptar.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ndau në rrjete sociale historinë e Perlat Myrtaj, në Levan, Fier, që kultivon shegë të një varieteti të njohur, prodhim të cilin e çon edhe për eksport.
“Perlati kultivon rreth 15 ha shegë të varitetit Wonderful One, për të cilat kujdeset me përkushtim dhe pasion për të sjellë produkt cilësor për konsumatorët dhe kontribuon në ekonominë lokale”, tha Denaj.
Ministrja bëri të ditur se prodhimi shkon për tregun vendas dhe atë të huaj, duke garantuar freski dhe cilësi për çdo familje që e zgjedh këtë frut të shëndetshëm dhe të pasur me antioksidantë.
Në Shqipëria ka një traditë të vjetër të kultivimit të shegëve, por deri para viteve ’90 rritja e tyre ishte modeste dhe e kufizuar në pak rrënjë. Shega konsiderohej më tepër një pemë e kopshteve familjare dhe jo një frut masiv tregu. Por vitet e fundit gjithçka po ndryshon.
Shega po kultivohet më shumë në zonën e Beratit, Fierit, Përmetit, Vaut të Dejës, por edhe në Delvinë apo Elbasan.