Denaj takon përpunuesit e qumështit dhe blegtorët: Duhet respektimi i marrëdhënieve kontraktuale mes palëve
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, zhvilloi të martën një takim me përfaqësues të blegtorëve dhe përpunuesve të prodhimeve blegtorale, për të gjetur mundësinë e bashkëpunimit mes palëve në atë që ajo e theksoi se “është bashkërendim zinxhiri i furnizimit me produkte cilësore të lëndës së parë”.
Ministrja Denaj, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, shkruan se rëndësia e bashkëpunimit bazuar në marrëdhënie kontraktuale afatgjatë për të siguruar një produkt shqiptar cilësor, ndihmon edhe në sigurimin e një pakete mbështetëse si financiare ashtu edhe fiskale.
“Paketë për të cilën do punojmë së bashku në dy muajt në vijim që ky sektor të ketë mundësinë e zgjerimit dhe respektin financiar mes palëve, sikurse produkti “Made in Albania” e meriton.”, tha Denaj.
“Sot realizuam një hap cilësor përpara, si në komunikim edhe në bashkërendim mes aktorëve, përfshirë edhe institucionet si Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, e cila ka përgjegjësinë për të zhvilluar më tej këtë sektor jetik të ekonomisë”, shkruan Denaj pas takimit me përfaqësues të blegtorëve dhe përpunuesve të prodhimeve blegtorale.