Dënimi i Salianjit, Bardhi: Vendim politik i urdhëruar nga Rama, shpallje lufte ndaj PD-së
“Vendim politik i urdhëruar nga zyra e Edi Ramës” e ka konsiderua kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, vendimin e Gjykatës së Apelit që la në fuqi dënimin me 1 vit burg për deputetin demokrat, Ervin Salianji të akuzuar për kallëzim të rremë.
Në një deklaratë për mediat, pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar, Bardhi tha se vendimi u mor nga gjyqtarë, sipas tij, në konflikt interesi.
I pyetur lidhur me masat që do të marrë PD, Bardhi tha se janë bërë disa propozime që do të diskutohen në mbledhjen e Kryesisë që është thirrur ditën e sotme (26 shtator).
“Dua të dënoj me forcë vendimin politik të urdhëruar nga zyra e Edi Ramës kundër deputetit Ervin Salianji. Nuk ka asnjë rast në Shqipëri që dikush për kallëzim të rremë të shkojë në burg. Është rasti i parë që vendoset ky standard. Vendimi i sotëm nuk është kundër Ervin Salianjit, vendimi i sotëm i Gjykatës është kundër çdo qytetari që vendos të përballet me qeverinë e korruptuar të Edi Ramës. Geron Xhafa është një trafikant i dënuar droge, këtë ka thënë Ervin Salianji dhe për këtë po shkon në burg deputeti i opozitës. Sot është kaluar edhe ajo vija e hollë e kuqe që ndante demokracinë e brishtë dhe diktaturën e Edi Ramës. Mendojnë se mund t’i mbyllin gojën opozitës.
Pse vëllai i një trafikanti droge nuk kalon në sitën e pasurisë për ligjin antimafia? Kodin mafioz që Edi Rama vendosi sot përmes këtij vendimi politik gjykate ti japë grupit të PD duke dënuar dhe çuar në burg nënkryetarin e grupit parlamentar të PD është shpallje lufte ndaj grupit tonë parlamentar, ndaj opozitës në tërësi. Sigurisht që kolegët kanë bërë propozimet e tyre ë mbledhje që do shkojnë për miratim në Kryesinë e partisë që mblidhet sot në një mbledhje urgjente. Të dalë nga burgu Saimir Tahiri dhe Vangjush Dako dhe të shkojë në burg një deputet që e ka guximin të bëjë denoncime? Është e papranueshme që gjyqtarë në konflikt të pastër interesi, nuk ka ndodhur kurrë që kur shkon në sallë për të marrë vendimin gjyqtarët thanë se na ka ardhur në protokoll një provë e re nga Geron Xhafa dhe prandaj u shty vendimi. Kjo është drejtësi e fabrikuar. Çdo agresion ndaj opozitës do të marrë përgjigjen nga deputetët e opozitës. Nuk i nënshtrohemi këtij vendimi politik”, tha Bardhi.
Salianji akuzohet për “kallëzim të rremë” për inskenimin e audio-përgjimit me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në trafikun e drogës. Pas përfundimit të seancës, edhe Salianji e konsideroi vendimin e Apelit si politik, ndërsa paralajmëroi se në të ardhmen të tjera denoncime.