Dënohet ish-avokati ushtarak në Australi, McBride vodhi e publikoi dokumente të luftës në Afganistan
Ish-avokati ushtarak David McBride është dënuar me 5 vjet e tetë muaj burg për rolin e tij në vjedhjen e dokumenteve sekrete të mbrojtjes në lidhje me luftën në Afganistan dhe nxjerrjen e tyre në media, një rast i njohur si “Dosjet afgane”.
Gjykata e Lartë në Australi vendosi gjithashtu që McBride për një periudhë 27 mujore nuk do të mund të lirohet me kusht. Avokati tha menjëherë se mbrojtja po përgatitej të apelonte kundër dënimeve, duke arsyetuar se McBride besonte se ishte detyra e tij të jepte informacionin në interes të publikut. Ai u deklarua fajtor për tre akuza, duke përfshirë vjedhjen dhe ndarjen me përfaqësuesit e mediave të më shumë se 200 dokumenteve të klasifikuara ushtarake.
McBride mblodhi kryesisht informacione sekrete ushtarake gjatë një periudhe 18-mujore në vitet 2014-2015 dhe ua dorëzoi ato gazetarëve. Materiali u përdor si bazë për një cikël emisionesh investigative të titulluar “Dosjet afgane”, ku pretendohej se personeli australian i mbrojtjes në Afganistan kishte kryer krime lufte.
Publikimin e dokumenteve, gjykata australiane e quajti një shkelje të rëndë besimi, pasi gjatë karrierës së tij ushtarake, McBride ishte trajnuar disa herë për trajtimin e materialeve të klasifikuara.