Denoncimi i Komitetit Çam ndaj qeverisë greke në Asamblenë e OKB-së
Më 25 shtator 1946, Komiteti Antifashist i Emigrantëve Çamë i drejtoi Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së një memorandum.
Ky komitet denonconte qeverinë greke për shkeljen e çdo parimi njerëzor dhe të të gjitha akteve ndërkombëtare, në zbatimin e një politikë shfarosjeje ndaj minoritetit çam. Në emër të kalvarit të vuajtjeve për dhjetëra vite, në memorandumin adresuar Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, Komiteti parashtronte dhe kërkonte përmbushjen e disa kërkesave:
1) Riatdhesim të shpejtë;
2) Kthimin ose shpërblimin mbi të gjitha pasuritë tona të dëmtuara ose të grabitura;
3) Ndihmë për rimëkëmbje dhe marrje masash të nevojshme të sigurimit;
4) Respektim i të drejtave demokratike dhe kombëtare;
5) Gjykimi dhe dënimi i përgjegjësve për masakrat në Çamëri.
Memorandumi, i nënshkruar prej kryetarit të Komitetit, Kasem Demit, përmbyllej me kërkesën për zhvillimin e dëgjesave me përfaqësues të këtij organi.