Denoncoi shkeljet e Boeing, gjendet i vdekur ish-punonjësi
Gjendet i vdekur ish-punonjësi i Boeing, i cili ngriti shqetësime mbi standartet e prodhimit të kompanisë. John Barnett kishte punuar për Boeing për 32 vjet, deri në momentin që doli në pension në 2017-ën.
Në ditët para vdekjes së tij, ai dha një dëshmi në një proces gjyqësor kundër kompanisë. Kompania Boeing reagoi mbi ngjarjen, duke shprehur pikëllimin për vdekjen e tij.
Mjeku ligjor i qarkut Charleston i cili konfirmoi vdekjen e Barnett të hënën (11 mars), tha se 62-vjeçari vdiq nga një plagë e “vetëshkaktuar” më 9 mars.
Barnett kishte punuar për gjigantin e avionëve amerikanë për 32 vjet. Nga viti 2010, ai punoi si menaxher i cilësisë në uzinën North Charleston duke prodhuar 787 Dreamliner, një aeroplan më i avancuar i përdorur kryesisht në rrugë të gjata.
Në vitin 2019, Barnett tha se punëtorët nën presion kishin vendosur qëllimisht pjesë nën standarde për avionët në linjën e prodhimit.
Ai tha gjithashtu se kishte zbuluar probleme serioze me sistemet e oksigjenit, që mund të nënkuptojë se një në katër maska të frymëmarrjes nuk do të funksiononin në rast urgjence.
Ai tha se menjëherë pas fillimit të punës në Karolinën e Jugut ishte shqetësuar se shtytja për të ndërtuar aeroplanë të rinj nënkuptonte se procesi i montimit ishte i nxituar dhe siguria ishte komprometuar, diçka që kompania e mohoi.
Po ashtu, Barnett deklaroi se punëtorët kishin dështuar të ndiqnin procedurat e synuara për të gjurmuar komponentët përmes fabrikës, duke lejuar që komponentët me defekt të zhdukeshin.
Ai tha se në disa raste, pjesët nën standarde madje ishin hequr nga koshët e skrapit dhe ishin montuar në avionët që po ndërtoheshin për të parandaluar vonesat në linjën e prodhimit.
Ai gjithashtu pohoi se testet në sistemet e urgjencës së oksigjenit që do të vendoseshin në 787 Dreamliner treguan një shkallë dështimi prej 25%.
Barnett tha se ai kishte paralajmëruar menaxherët për shqetësimet e tij, por asnjë veprim nuk ishte ndërmarrë.
Boeing mohoi pohimet e tij. Megjithatë, një rishikim i vitit 2017 nga rregullatori amerikan, Administrata Federale e Aviacionit (FAA), mbështeti disa nga shqetësimet e Barnett.