Deputetët e opozitës bllokojnë me karrige foltoren e Parlamentit
Deputetët e opozitës kanë bllokuar me karrige foltoren e sallës së seancave plenare të Parlamentit, duke pamundësuar zhvillimin normal të seancës së sotme.
Në këtë mënyrë, deputetët e opozitës kanë bllokuar edhe seancën e shkuar të Parlamentit, ndërsa mazhoranca miratoi disa ligje mes kaosit dhe rrëmujës.
Karriget janë vendosur, ashtu si në seancën e kaluar, grumbull para foltores.
“Kjo është sot salla e Parlamentit të vendit. Vazhdon mosbindja civile e parlamentareve të opozitës”, tha Berisha.
Deputetët e opozitës po përsërisin skenarin e ditëve më parë duke bllokuar seancën plenare të Kuvendit. Deputetët e opozitës që mbështesin Ish-Kryeministrin Sali Berisha, sërish kanë mbledhur grumbull karriget në Foltore me qëllim për të sabotuar punën e Kuvendit. Punonjësit e Gardës janë në gatishmëri dhe janë rreshtuar para ulëseve të ministrave.
Nëpërmjet një lidhjeje në Facebook, Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur nga Kuvendi, ku ka deklaruar se “Rama nuk pranon komisione hetimore pasi sipas tij është i inkriminuar”.
“Edi Rama nuk mund të pranoj komisione hetimorë për investitorë strategjikë se ata janë bosët më të fuqishëm, Pëllumb Gjoka, ministra, Olta Xhacka, deputetë, trafikantë të ndjekur në të katërt anët e botës”, është shprehur ai.
Sipas Berishës “Kuvendi është i detyruar të ngrejë komisione hetimore. Nuk mundet Edi Rama të ndalojë këto komisione. Nuk mundet të pranoj Edi Rama komisionet se është shumëfish i inkriminuar dhe sillet si kreu i një organizate. Nuk i pranon komisionet hetimore për portin e Durrësit të cilin e mbylli për të përvetësuar tokë publike. Në këtë territor ka parashikuar të ndërtoj apartamente, hotele, e pishina.”
Kryeministri Edi Rama nuk do të jetë i pranishëm në seancë, pasi sot niset drejt Francës për të marrë pjesë në Forumin e Paqes.