Deputetët e përjashtuar-Rithemelimi të hënën protestë para Parlamentit
19 deputetët e përjashtuar nga punimet e Kuvendit do të protestojnë jashtë ambjenteve të tij, të hënën pasdite, kur do të zhvillohet seanca plenare.
Protesta do të mbështetet nga anëtarë dhe simpatizantë të grupimit të ish-Kryeministrit Sali Berisha.
Për mbarëvajtjen e saj, Edi Paloka ka thirrur sot (3 shkurt) pasdite në orën 17.00-të mbledhjen e Këshillit Kombëtar.
Sipas njoftimit të tij, në mbledhje do të diskutohet edhe vijimi i aksionit opozitar në parlament si edhe në sheshe për të mos lejuar sipas tij asgjësimin e pluralizmit.
Paralelisht me protestat kundër qeverisë, Këshilli Kombëtar do të diskutojë dhe për vijimin e tubimeve para banesës së ish-Kryeministrit Sali Berisha, i cili ndodhet në masën e “arrestit të shtëpisë” që prej 30 dhjetorit të vitit të shkuar.