Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku: Taksat dhe mungesa e konkurrencës, arsyet e çmimeve të larta të karburanteve
Deputetja Tabaku, gjatë një komunikimi në rrjetin social facebook ka renditur arsyet e çmimit të larta të karburantit.
Sipas saj, gangrena e çmimit të lartë të naftës janë taksat dhe mungesa e kokurrencës.
Duke dhënë tre shembuj të çmimeve të naftës, Tabaku tha se, çmimi i naftës në Maqedoninë e Veriut është 1.35 cent/litër, Slloveni 1.65 cent/litër, ndërsa në Shqipëri, sigurisht më e larta 1.93 cent/litër.
Deputetja e PD, vijoi se taksat janë arsyeja kryesore. “60% e çmimit sot janë taksa. Por nga ana tjetër ne nuk kemi konkurrencë. Sot kemi monopol, i cili në të gjitha hallkat e transportit, shitjes, tregtimit përcaktohet nga pak kompani.
Për të hapur sa më shumë operatorë? Pse duhet patjetër të kemi ato pak kompani që përcaktojnë çdo gjë edhe që detyrojnë dhe më të vegjlit të vijnë pas? Çfarë të keqe ka nga konkurrenca? Liria e tregut? Çfarë të keqe ka nga ndryshimi sistemit?”, u shpreh Tabaku, duke shtuar se në fund të ditës humb qytetari.