Deri në 25 metra i gjatë, zbulohen fosilet e zvarranikut prehistorik të detit
Shkencëtarët kanë identifikuar atë që ishte ndoshta zvarraniku më i madh detar që ka notuar ndonjëherë në dete, një krijesë më e gjatë se dy autobusë. Krijesa jetoi rreth 202 milionë vjet më parë së bashku me dinozaurët.
Nofulla e saj e fosilizuar u gjet në vitin 2016 nga një gjuetar fosilesh në një plazh të Somerset në Angli. Në vitin 2020, një burrë dhe vajza e tij gjetën një nofull të dytë, shumë të ngjashme.
Ekspertët tani thonë se fosilet janë nga dy zvarranikë gjigantë ichthyosaur, të cilët mund të kenë qenë 25 metra të gjatë.
“Bazuar në madhësinë e kockave të nofullës, njëra prej tyre mbi një metër e gjatë dhe tjetra dy metra, mund të kuptojmë se e gjithë kafsha do të kishte qenë rreth 25 metra e gjatë, afërsisht sa një balenë blu,” sipas Dr. Dean Lomax, një paleontolog në Universitetin e Bristolit, i cili shkroi punimin shkencor.
Por ai thotë se nevojiten më shumë prova, si një kafkë dhe skelet i plotë, për të konfirmuar madhësinë e saktë të krijesës, sepse deri më tani janë gjetur vetëm disa fragmente.
Ichthyosauri gjigant vdiq në një zhdukje masive dhe ichthyosaurët që jetuan më pas nuk arritën më kurrë madhësi të tillë, tha ai./ BBC