Dëshironi të përfitoni shtetësinë gjermane? Avokatja tregon kushtet kryesore që ju bëjnë fitues
Pas pesë vitesh qëndrimi të ligjshëm në Gjermani , të huajt mund të aplikojnë për shtetësi gjermane. Ligji i ri i shtetësisë do të zbatohet në Gjermani nga 27 qershori 2024, ku mendohet se rreth 12 milionë të huajt në Gjermani tani mund të aplikojnë për shtetësi gjermane.
Për të folur mbi këtë temë, në një lidhje të drejtpërdrejtë me Skype me studion e emisionit “Jetë Shqiptare” në RTSH 1, avokatja e specializuar për emigrantët, Nakibe Ademi u shpreh se vetëm pas 5 viteve qëndrimi mund të aplikohet për nënshtetësinë gjermane. Për më tepër ajo theksoi se duke ndryshuar statusin e tyre aktual, të huajt mund të arrijnë të fitojnë më lehtë nënshtetësinë.
“Sipas nenit 104 C të ligjit gjerman thuhet se ato persona që jetojnë që prej 5 vitesh në Gjermani, kur e ke këtë nenin në lejen e qëndrimit nuk të takon nënshtetësia, e njëjta vlen edhe për ato persona që kanë fituar leje qëndrimi shkak i sëmundjes. Kështu që unë i këshilloj të gjithë klientët e mi që të ndërrojnë nenet. Për shembull të dalin nga neni 104 C nëse janë të integruar mirë sepse të duhet niveli i gjuhës B1 kurse 1 nen që është për të mirë integruarit duhet A2 kështu që fillimisht duhet të ndryshojnë statusin dhe më pas të plotësojnë 5 vitet dhe të aplikojnë”, u shpreh avokatja Ademi.