Dështimi i referendumit në veri, Kurti: Tani BE të heqë masat ndaj Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se rezultatet e procesit të votimit në veri të vendit treguan se nuk ka vullnet për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave.
Kurti ka theksuar përpjekjen e qeverisë për të luftuar krimin dhe kontrabandën teksa ai ka bërë thirrje për largimin e masave të vendosura nga BE-ja, të cilat kanë qenë lidhur me procesin e shkarkimit të kryetarëve.
“Mundësimi i shkarkimit të kryetarëve aktual dhe mbajtja e zgjedhjeve për shkarkim ishin kriter kyç për largimin e masave ndaj Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian. Këto masa të padrejta, pas votimit të sotëm, duhet larguar sa më parë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kurti ka thënë se autoritetet e Beogradit kanë ushtruar presion ndaj qytetarëve serbë në veri, e sipas tij, “Serbia e ka parë që mund t’i mbledhë 20 për qind, por jo edhe 50 për qind”.
“Qytetarët serbë në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – sot patën mundësinë të shkarkojnë kryetarët aktual në një proces demokratik dhe të ligjshëm zgjedhor. Rezultatet e votimit të sotëm tregojnë që nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktual. 20% të votave të mbledhura nga Lista Serbe për peticionin për të inicuar këtë proces, nuk rezultuan më shumë se aq.
Serbia e ka parë që mund t’i mbledh 20% por jo edhe 50%. Qeveria e Republikës së Kosovës është ndjeshme ndaj rrethanave në katër komunat në veri të Kosovës, sidomos ndaj trysnisë së madhe të ushtruar nga autoritetet e Beogradit ndaj qytetarëve serbë të Kosovës në këto katër komuna”, ka shkruar Kurti.
Gjithashtu, Kurti ka inkurajuar kryetarët e zgjedhur të Zveçanit dhe Zubin Potokut që të nisen te zyrat e tyre dhe të kryejnë detyrën e tyre në objektet zyrtare të komunave të Kosovës.