“Detyrim paraqitje”- Kryemadhi ankimon vendimin. Edhe Meta drejt Apelit
Deputetja Monika Kryemadhi ka ankimuar vendimin e Shkallës së Parë të GJKKO-së për masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”.
Kryemadhi kundërshton masën e vendosur ndaj saj me kërkesë të SPAK. Masa e sigurisë nënkupton që Kryemadhi shihet si person me interes nga prokurorët specialë për të zbardhur çështje që kanë të bëjnë me korrupsionin apo pasurinë e saj familjare.
Ajo dyshohet për kryerjen e veprave penale: “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Edhe presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta përmes avokatit të tij, Genc Gjokutaj pritet që këtë të hënë (4 nëntor) të depozitojë zyrtarisht ankimin në Apel.
Avokati Gjokutaj ka paralajmëruar se përveç kundërshtimit të masës “Arrest në burg” do të bëjë edhe një kallëzim për sa i takon veprimeve të Forcës Operacionale të Policisë së Shtetit gjatë ekzekutimit të vendimit të Gjykatës.
Meta u arrestua më 21 tetor me urdhër të SPAK. Ndalimi i ish-presidentit u krye në afërsi të kthesës së Kamzës, teksa Meta po i drejtohej selisë së partisë, ku kishte njoftuar një konferencë shtypi.
SPAK ngriti tri akuza ndaj Metës: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, me dyshime të nisura që nga çështja CEZ-DIA.