Dhoma e Përfaqësuesve miraton hetimin për shkarkimin e presidentit Biden
Dhoma e ulët e kongresit amerikan që kontrollohet nga republikanët ka votuar për autorizimin e hapjes së procesit që do të përcaktojë nëse ka baza për të ngritur akuza për shkarkimin e Presidentit Joe Biden.
Ligjvënësit në dhomën e Përfaqësuesve votuan për një rezolutë për të cilën republikanët thonë se do iu japë më shumë pushtet për të mbledhur prova.
Tre komitete të drejtuara nga republikanët në atë dhomë akuzojnë Biden për mitmarrrje dhe korrupsion gjatë kohës që ai ka qenë zëvendës president, por ende nuk kanë paraqitur prova për këto pretendime.
Pas votimit Biden, u shpreh se kundërshtarët po e sulmonin me gënjeshtra. “Në vend që të bëjnë gjithçka për të ndihmuar në përmirësimin e jetës së amerikanëve, ata janë të përqendruar të më sulmojnë me gënjeshtra”, theksoi ai.
Autorizimi për hapje procesi për përcaktimin e bazave për ngritjen e akuzave ndaj presidentit nënkupton se hetimi do të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm kur mbahen presidencialet dhe ku Biden ka shumë gjasë të përballet me ish presidentin Donald Trump.
Ky i fundit ndërkohë iu ka kërkuar aleatëve në kongres që të veprojnë me shpejtësi për të hapur procesin për hetimin e kundërshtarit.
Vendimi për votimin erdhi ndërsa Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, dhe ekipi i tij drejtues u përballen me një trysni në rritje për të treguar se kanë shënuar përparim në një hetim gati njëvjeçar të përqendruar tek marrëdhëniet e biznesit të anëtarëve të familjes Biden.