Dhuna ndaj mësueses në Lezhë, Manastirliu: Ngjarje e papranueshme
Ngjarja në Lezhë ku një nxënës ka dhunuar mësuesen është dënuar edhe nga ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, e cila e ka komentuar si “të papranueshme”.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ministrja shprehet se duhet më shumë angazhim për forcimin e mekanizmave institucionalë.
“Jam shumë e shqetësuar dhe e tronditur nga ngjarja e sotme në shkollën “Hydajet Lezha” në qytetin e Lezhës, një ngjarje totalisht e papranueshme dhe e patolerueshme, ashtu siç është i papranueshëm çdo akt dhune, në mjediset tona të mësimdhënies. I jam pranë mësuese Majlindës në këto momente dhe i uroj shërim sa më të shpejtë.”, komenton Manastirliu.
Sipas saj, kjo ngjarje e rëndë duhet të bëjë të reflektohet dhe të ketë angazhim edhe më shumë për forcimin e mekanizmave institucionalë, për mbështetjen psiko-emocionale të nxënësve, komunikimin efektiv, rritjen e ndërgjegjësimit në shkollë, në familje, në komunitet, “me qëllim që të garantojmë një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm për nxënësit dhe mësuesit tanë.”
“Na takon të gjithëve si shoqëri, të kontribuojmë për fuqizimin e trinomit aq shumë të rëndësishëm, mësues-nxënës-prind, për të garantuar respektin e merituar për figurën e mësuesit dhe një mjedis sa më të shëndetshëm e të sigurt në shkolla, në mënyrë që institucionet arsimore si vatrat e dijes të garantojnë arsim cilësor, dhe të edukojnë e të përgatisin brezin e ri, me vlerat më të larta të kulturës dhe qytetarisë”, shkruan ministrja.