Dhuna ndaj të miturve në kopshtet e Tiranës, Manastirliu: Do reformojmë arsimin parashkollor
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Orgerta Manastirliu ka deklaruar se arsimi parashkollor do t’i nënshtrohet një reforme rrënjësore.
Duke iu referuar dhunës së ushtruar ndaj një 3-vjeçareje në një nga kopshtet private të Tiranës, që u denoncua pak ditë më parë në media, ministrja Manastirliu theksoi se subjektet që ushtrojnë veprimtari private dhe publike në arsimin parashkollor do t’i nënshtrohen verifikimeve të imtësishme.
Sipas saj, do të rishikohet paketa ligjore e arsimit parashkollor dhe do të ketë tolerancë zero ndaj çdo fenomeni që dëmton fëmijët.
Pjesë e reformës sipas Manastirliut do të jetë edhe verifikimi i arsimit dhe edukimin e mëtejshëm të edukatoreve që ushtrojnë detyrën e tyre në institucionet e arsimit parashkollor.
“Do të jetë reforma e arsimit parashkollor, rishikimit të paketës ligjore dhe tolerancë zero ndaj çdo fenomeni që dëmton fëmijët.
Standarde të reja për arsimin parashkollor me fokus edukimin e mësuesve si dhe verifikimi i subjekeve që ofrojnë shërbimin e arsimin parashkollor.
Do vlerësohet cilësia e arsimit parashkollor. Puna për këtë reformë do të fillojë menjëherë. Në fund kam një thirrje për prindërit, aktet që kemi parë janë të dënueshme, janë tronditëse por ato mund t’i luftojmë duke ndërvepruar së bashku si shoqëri.
Ministria e Arsimit është e angazhuar për të rritur cilësinë e arsimit parashkollor dhe deri te ai universitar”, u shpreh Manastirliu në një konferencë për mediat.