Dhuna në Kuvend, tymueset, mjetet piroteknike, hyjnë në fuqi masat e ashpra ndëshkuese ndaj deputetëve

Dhuna ne Kuvend

Dhuna ne Kuvend

Një deputet ose një grup deputetësh, do ta kenë thuajse të pamundur që të bllokojnë në të ardhmen zhvillimin normal të punës së Kuvendit ose të komisioneve parlamentare.

Paralelisht, një deputet apo një grup deputetësh, të cilët kryejnë akte dhune, vënë në rrezik jetën e parlamentarëve, ushtrojnë dhunë ndaj punonjësve të Gardës, ndezin mjete piroteknike, apo hedhin tymuese në Kuvend, do të përjashtohen deri në 60 ditë nga seancat parlamentare apo nga komisionet parlamentare.

Ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, të cilat u miratuan nga deputetët e shumicës parlamentare, kanë hyrë të hënën në fuqi.

Ndryshimet parashikojnë që mbledhjet në distancë nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik do të bëhen jo vetëm në rastin e  fatkeqësive natyrore, por edhe në çdo rast tjetër të pamundësisë së zhvillimit fizik të mbledhjeve, ose në mënyrë të kombinuar nëpërmjet prezencës fizike dhe mjeteve të komunikimit elektronik.

Zhvillimi i mbledhjes së komisioneve parlamentare në distancë nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik ose në mënyrë të kombinuar mund të vendoset edhe nga kryesia e komisionit.

Përjashtimi nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose në seancë plenare për deputetët që dëshmojnë akte dhune ose përpiqen të bllokojnë forcërisht funksionimin e punës do të jetë në 10 ditë, 30 ditë ose 60 ditë.

Në rast se deputeti nuk pranon të dalë nga salla ose përpiqet të hyjë në sallën e seancës plenare/mbledhjes së komisionit, drejtuesi i seancës plenare/komisionit i kërkon Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën marrjen e masës disiplinore “përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose në seancë plenare deri në 10 ditë, 30 ditë ose 60 ditë.

Ushtrimi i dhunës

Masa disiplinore “përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose në seancë plenare deri në 30 ditë” jepet në rastet kur deputeti përdor dhunë ndaj deputetëve të tjerë, anëtarëve të Këshillit të Ministrave, punonjësve të shërbimit të seancave, të Gardës së Republikës ose punonjësve të medieve.

Përjashtimi është edhe në rastet kur deputeti përmes veprimeve të qëllimshme dëmton pajisjet dhe orenditë ose heq funksionalitetin e tyre logjistik në sallën e seancave/mbledhjes, si dhe në rastet kur deputeti kryen në mënyrë të përsëritur brenda një sesioni parlamentar shkeljet e parashikuara më sipër.

Përjashtimi për 60 ditë

Masa disiplinore “përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose në seancë plenare deri në 60 ditë” do të jepet në rastet kur deputeti përdor lëndë apo mjete piroteknike, tymuese, bojëra dhe materiale apo mjete të tjera të ngjashme brenda sallës së zhvillimit të punimeve të Kuvendit/mbledhjes së komisionit /brenda mjediseve të Kuvendit, si dhe kur deputeti kryen veprime/sjellje që dyshohet se përmbajnë elemente të veprës penale, të parashikuara në Kodin Penal.

Kërkesa për masë disiplinore

Kërkesa për marrjen e masës disiplinore, paraqitet me shkrim nga jo më pak se 7 deputetë dhe jo më vonë se 48 orë nga dita e konstatimit të ngjarjeve/rasteve. Gjatë periudhës së zbatimit të masës disiplinore deputeti ndalohet të kryejë edhe çdo veprimtari tjetër si anëtar i Kuvendit.

Masa disiplinore “përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose në seancë plenare deri në 10 ditë, 30 ditë ose 60 ditë” do të jepet jepet nga Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën. Mbledhja e Sekretariatit zhvillohet brenda 48 orëve nga depozitimi i kërkesës.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.