Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka kryesuar takimin e posaçëm të formatit “Arria” të Këshillit të Sigurimit, ku me ftesën e Shqipërisë, Kosova përmes Presidentes Vjosa Osmani ka mbajtur fjalën në tryezën më të lartë vendimmarrëse në botë.
Ministri Hasani theksoi se dhuna seksuale e lidhur me konfliktin është një krim lufte dhe mbetet një sfidë thelbësore e sigurisë globale, teksa nënvizoi se bota mund të mësojë shumë nga Kosova lidhur me këtë çështje.
“Dhuna seksuale vazhdon të përdoret si një taktikë lufte dhe terrori. Mosndëshkimi përjetëson kulturën e dhunës dhe minon përpjekjet për ta çrrënjosur atë. Duhet të dëgjohet zëri i mbi 20 mijë grave dhe vajzave të dhunuara gjatë konfliktit në Kosovë. Viktimave dhe të mbijetuarve nuk duhet t’u mohohet drejtësia. Duhet të ndërmarrim hapa konkretë për parandalimin e dhunës. Të sigurohet mbrojtja e individëve, ndëshkimi i autorëve dhe dëmshpërblimi i viktimave. Angazhimi i Shqipërisë në këtë drejtim mbetet i palëkundur,” tha ai.
Kryediplomati shqiptar në fjalën e tij gjithashtu u ndal tek vajzat e gratë izraelite të rrëmbyera nga militantët e Hamasit, të cilat po mbahen në Gazë në kushte të tmerrshme.
“Ne bëjmë thirrje për lirimin e tyre të menjëhershëm dhe pa kushte,” tha Ministri Hasani.
Në takimin për “Parandalimin dhe reagimin ndaj dhunës seksuale të shkaktuar nga konfliktet”, presidentja Vjosa Osmani foli për eksperiencën e Kosovës lidhur me këtë rast, teksa vuri theksin në rëndësinë e llogaridhënies.
“Autorët e këtyre krimeve nuk njohin kufij. Ata nuk ndalen para asgjëje. Ata shkatërrojnë jetën. Ata nuk duan të shkatërrojnë vetëm kombe apo vende. Ata duan të shkatërrojnë besimin tonë në njerëzimin. Ata duan të dehumanizojnë njerëzit,” tha ajo.
Pjesëmarrës në këtë takim ishin edhe përfaqësuese nga Bosnjë-Hercegovina apo Ukraina, të cilët sollën eksperiencat e tyre të dhimbshme por njëherësh edhe përvojat për ndërtimin e modeleve në mbrojtje të viktimave të dhunës.
Fjala e ministrit Igli Hasani në takimin me temë “Parandalimi dhe reagimi ndaj dhunës seksuale, të shkaktuar nga konflikti”
Kolegë,
Falenderoj raportuesit për të dhënat dhe informacionin që ndanë me ne, sot. Ju gjithmonë na kthjelloni, si dëshmitarë të ‘dorës’ së parë, mbi akte të tilla të neveritshme kriminale. Gjithashtu, dëshiroj t’i shpreh mirënjohje të thellë Presidentes së Republikës së Kosovës, Shkëlqesisë së saj Znj. Vjosa Osmani që pranoi me dashamirësi ftesën tonë dhe pasqyroi një model për identifikimin, dokumentimin dhe adresimin e rasteve të dhunës seksuale të shkaktuara nga konflikti, veçanërisht për vënien në vend të dinjitetit/drejtësisë dhe dëmshpërblimin e të mbijetuarve. Përpjekjet e Kosovës në këtë drejtim janë një shembull i mirë për botën, duke dhënë një mësim të vlefshëm dhe frymëzim në të njëjtën kohë.
Kolegë,
Dhuna seksuale e shkaktuar nga konflikti është e një natyrë çnjerëzore. Nuk dëmton vetëm një individ të vetëm apo një familje të vetme apo edhe një grup të vetëm shoqëror. Dhuna seksuale ndikon negativisht dhe rrezikon familje dhe komunitete të tëra, gërryen stabilitetin social dhe atë politik si dhe minon përparimin ekonomik dhe rimëkëmbjen. Dhuna seksuale e lidhur me konfliktin përbën një krim lufte dhe një sfidë thelbësore për sigurinë.
Gjatë viteve, Këshilli ka miratuar disa rezoluta që dënojnë dhunën seksuale të shkaktuar nga konflikti, të cilat theksojnë nevojën për llogaridhënie. Megjithatë, pavarësisht një kuadri të fortë normativ, dhuna seksuale e shkaktuar nga konflikti, ndaj grave dhe vajzave nuk është zvogëluar; në fakt është përshkallëzuar. Dhuna seksuale vazhdon të përdoret si një taktikë lufte dhe terrori për të ndëshkuar civilët dhe për të terrorizuar komunitetet shoqërore. Në Ukrainë, raportet për dhunë seksuale ndaj grave, vajzave dhe fëmijëve të përdhunuar nga agresorët rusë, mbeten dëshmi të dhimbshme dhe të tmerrshme të përdorimit të dhunës seksuale si taktikë lufte dhe të forcës së saj shkatërruese në shoqëri.
Në Sudan, Sudanin e Jugut, Mali, Republikën Demokratike të Kongos, Republikën e Afrikës Qëndrore, Afganistan, Mianmar, Somali, Siri, Libi dhe Jemen, gratë vazhdojnë të jenë objekte të formave të ndryshme të dhunës seksuale, të shkaktuar nga konflikti. Pavarësisht dënimeve të qarta dhe thirrjeve për ndjekje penale, shumë individë përgjegjës për dhunë seksuale, vazhdojnë t’i shmangen drejtësisë. Kjo formë mosndëshkimi çimenton kulturën e dhunës dhe minon përpjekjet për të çrrënjosur dhunën seksuale të lidhur me konfliktin, në një plan gjithëpërfshirës.
Në këtë aspekt, ne duhet të mendojmë edhe për ato gra të pafajshme që janë rrëmbyer nga terroristët e Hamasit dhe po mbahen diku në Gaza, në kushte të tmerrshme. Ne bëjmë thirrje për lirimin e tyre të menjëhershëm dhe pa kushte.
Kolegë,
Vijmë nga një rajon (Ballkani Perëndimor) që në një të kaluar jo shumë të largët, ka qenë skenë e konflikteve të mëdha dhe vuajtjeve të shumta njerëzore, një realitet i zymtë që u pasqyrua dhe në raportimet e takimit të sotëm. Dhuna seksuale e shkaktuar nga konflikti përbën një shkelje të rëndë të vlerave të përbashkëta humane dhe nuk duhet, dhe nuk do të tolerohet si një nënprodukt i pashmangshëm i luftës.
Përhapja marramendëse e akteve të tilla të neveritshme, ku vetëm në Kosovë numërohen mbi 20,000 gra dhe vajza që kanë duruar dhunën seksuale, ka lënë plagë të thella. Të patrajtuara në kohë, këto plagë kanë potencialin të pengojnë përpjekjet e rimëkëmbjes dhe rivendosjes së paqes dhe sigurisë së qëndrueshme. Për këto arsye bindëse, Shqipëria mbetet e palëkundur në angazhimin e saj për të mbrojtur dhe siguruar që zërat e të mbijetuarve të dëgjohen, që autorët të vihen para përgjegjësisë dhe, në fund të fundit, që drejtësia të shërbejë si themeli mbi të cilin ne mund të ndërtojmë një paqe të qëndrueshme, me kalimin e kohës.
Kolegë,
Mungesa e llogaridhënies dhe e njohjes së krimeve të tilla mbetet një trashëgimi shkatërruese e të gjitha konflikteve çnjerëzore kudo në botë. Viktimave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale të shkaktuar nga konflikti nuk duhet t’ju mohohet e drejta e tyre si edhe nuk duhet të mbeten anonimë në vuajtjet e tyre. Nëse duam ti parandalojmë dhe përgjigjemi në mënyrën e duhur këtyre krimeve të tmerrshme, duhet të bëjmë më shumë në tre fusha kryesore:
Së pari, duhet t’i japim përparësi parandalimit dhe llogaridhënies. Dhuna seksuale e shkaktuar nga konflikti është e parandalueshme dhe e dënueshme! Ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis mosndëshkimit dhe ekzistencës këmbëngulëse të dhunës seksuale të shkaktuar nga konflikti. Sigurimi i llogaridhënies dhe dhënia fund e mosndëshkimit për shkeljet dhe abuzimet, duhet të jetë një prioritet për të gjithë ne, brenda dhe jashtë Këshillit. Mesazhi duhet të jetë i qartë: Nuk do ti shpëtojë drejtësisë, askush, që ka promovuar, përdorur ose ka në plan të përdorë dhunën seksuale si taktikë lufte.
Së dyti, shtetet anëtare të forcojnë kuadrin e tyre ligjor me qëllim që dhuna e ushtruar në konflikt, të përcaktohet qartë si penalitet dhe të sigurohet vënia para përgjegjësisë ligjore e autorëve. Ligjet e brendshme duhet të përputhen me standardet ndërkombëtare, duke u mundësuar gjykatave kombëtare të ndjekin penalisht autorët, sa më shpejtë dhe ndaj të cilëve të ndihet pesha e dënimit të drejtësisë.
Së treti, vënia në vend e drejtësisë dhe dinjitetit, si dhe dëmshpërblimi i viktimave: Përpjekjet tona për të adresuar këto krime të tmerrshme duhet të ndjekin një qasje për nga të mbijetuarit, siç përshkruhet në rezolutën 2467 (2019) të Këshillit të Sigurimit, për të mbështetur viktimat që të “shndërrohen” në të mbijetuar, të aftë për tu angazhuar në jetën politike si dhe të aftësohen në hapat vendimmarrëse, që kanë në qendër të mbijetuarit ndaj krimeve. Ata duhet të ndihmohen në çdo mënyrë të mundshme, menjëherë.
Kolegë,
Është koha që të gjithë ne të marrim përgjegjësinë tonë për të shkuar përtej dënimit të kësaj sjelljeje, për të ndërmarrë hapa konkretë për parandalimin e dhunës, mbrojtjen e individëve, ndëshkimin e autorëve dhe për sigurimin e dëmshpërblimit të viktimave. Angazhimi ynë për parandalimin dhe reagimin ndaj dhunës së shkaktuar nga konflikti është i palëkundur. Ne do të vazhdojmë të përpiqemi të promovojmë barazinë gjinore, drejtësinë dhe sigurinë për të gjithë individët e prekur nga dhuna seksuale e shkaktuar nga konflikti.
Faleminderit!
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko zhvilloi një takim Ambasadorin e BE në Shqipëri,…
Tirana zyrtare ka shprehur shqetësim serioz lidhur me fshirjen e adresave të shqiptarëve në Luginën…
Katër efektivë të “Shqiponjave”, në policinë e Shkodrës, janë rikthyer në liri pasi u arrestuan…
Dy ndër 10 fëmijë në shkollat e Shkodrës kanë raportuar se bullizohen. Shifrat e studimit…
Shkodra me Fakultet të Shkencave Mjekësore Teknike, analiza e regjitrimeve në të 3 ciklet e…
Dita e Alfabetit është përkujtuar sot nga myftiu i Shkodrës, imam Muhamed Sytari. Gjatë hytbes…
This website uses cookies.